Volodymir Zelensky tërhoqi vëmendjen me fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale në Ukrainë, duke qenë se ai nuk kishte aspak përvojë në politikë. Publiku e njihte atë si yllin televiziv të shfaqjes “Shërbëtori i Popullit”. Por ai nuk është i vetmi personalitet i njohur që i është futur politikës. Një nga rastet e shumta është ai i Arnold Schvarzenegger.
Schvarzenegger, dikur Mister Universi e më pas ylli hollivudian, u bë guvernator i Kalifornisë në 2003. Për 7 vjet, ai udhëhoqi shtetin më të pasur dhe më të banuar federal amerikan.
Arnold Shvarceneger lindi në Thal të Austrisë më 30 korrik 1947. Babai dhe nëna ishin drejtues të policisë lokale. Arnold kujton se të dy prindërit qenë shumë të rreptë, për shkak të anëtarësimit të tyre në Partinë Naziste. I ati besonte se Arnold nuk ishte djali i tij biologjik, ndaj preferonte më shumë djalin e tij më të madh Meinhard. Schwarzenegger nisi të merrej me body-building që në moshën 15 vjeçare.
Prindërit druheshin se po kthehej në homoseksual, pasi panë murin e dhomës së tij plot me postera të bodybuilder-ve të famshëm. Pas mbarimit të shërbimit ushtarak, në vitin 1967 fiton konkursin e Mister Universit në Londër. Një vit më pas u zhvendos të jetonte në SHBA. Luajti rolin e Herkulit në filmin e tij të parë në vitin 1970. Në fazat e hershme të karrierës së tij si aktor, Arnoldit iu tha se s’kishte asnjë shans të linte gjurmë në këtë fushë. Regjisorët talleshin me format e tij trupore, të folurën por edhe me mbiemrin e tij të gjatë, të cilin i propozuan ta ndryshojë.
Arriti të bëhet shumë i famshëm me filmin “Terminatori”, dhe kryesisht në filmat aksion. Pas Reganit, ai është aktori i dytë që u zgjodh guvernator i një shteti në SHBA. Schwarzenegger nuk pranoi të merrte pagën e guvernatorit, dhe udhëtoi çdo herë me shpenzimet e veta. Vlera neto e pasurisë së tij, vlerësohet të jetë rreth 100-200 milionë dollarë.
Schwarzenegger pati sukses edhe në politikë, ku si një republikan është zgjedhur dy herë në postin e guvernatorit, por vetëm mandatin e dytë e ka ushtruar deri në fund.