MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Takimi i Berlinit/ Aksi gjermano-francez për shqiptarët dhe Ballkanin…

29.04.2019 - 17:59

Ditën e sotme zhvillohet një takim mjaft i rendësishëm, pjesë e të cilit nuk janë as shteti kryesues i radhës në BE, as Greqia, dhe shumë të tjerë, por ‘Takimi i Berlinit’ po zhvillohet midis aksit franko-gjerman – presidentit francez Macron, kancelares Merkel dhe krerëve të shteteve të një pjese të Ballkanit.

Një ngjarje e jashtëzakonshme për shkak të kontekstit rajonal i cili është i veçantë, si pasojë e atij evropian.

Evropa ka telashet e saj, është e përfshirë në një fushatë zgjedhjesh, por personazhe të tjera si Merkel dhe Macron për të theksuar harmoninë mes tyre, lokomotivës së Bashkimit Europian, për të theksuar vëmendjen e tyre mbi rajonin, por njëkohësisht për tu pozicionuar në këtë krizë në mënyrë antitetike, kundërvënëse ndaj SHBA-ve, kanë thirrur një pjesë të udhëheqësve të Ballkanit, për tu dhënë orientimet e duhura lidhur me zhvillimet e fundit, në të cilat shquhen padyshim negociatat Serbi-Kosovë, por edhe marrja e ftesës për Shqipërinë edhe Maqedoninë.

Ftesa për Shqipërinë

Afërmendsh që Bashkimi Evropian nuk mund t’i japë shansin Maqedonisë së Veriut që të çelë negociatat para Shqipërisë, sepse i bie që kombi më pro-evropian, pro-perëndimor i Ballkanit të jetë i fundit në garën për integrim.

Pritet, siç është bërë e ditur paraprakisht, që jo më në Qershor, presidenti Macron nuk dëshiron që të flitet për integrimin evropian për vendet e Ballkanit përpara zgjedhjeve, por do të shtyhet në vjeshtë. Ndërkohë, që Shqipëria po bëhet gati që të kërkojë çeljen e negociatave, të paktën në grup me Maqedoninë. Ky është lajmi për Shqipërinë.

Bisedimet Kosovë-Serbi

Ndërkohë, kancelarja Merkel ka diçka për tu thënë vendeve të pranishme aty, lidhur me bisedimet Kosovë-Serbi. Boshti i Bashkimit Evropian, kërkon që të krijojë rreth Kosovës dhe Serbisë një lloj fronti vendesh të cilat do të duhet të kenë harmoni, të formësojnë qëndrimin e këtyre dy shteteve duke nisur nga Gjermania dhe nga Franca.

Pra, nëqoftëse Maqedonia dhe Bosnje Hercegovina, të cilat janë vendet fqinje me Serbinë, apo edhe Shqipëria pozicionohen kundër shkëmbmit të territoreve atëherë kjo do të krijonte atmosferën që do të bllokonte apo frenonte atë çfarë është prirja e deri-tanishme e negociatave midis Vuçiç dhe Thaçit që parashikon atë që presidenti serb e quan demarkacion ndërsa z. Thaçi e quan korrigjim të kufirit, por që në teologjinë e shtypit perëndimor quhet ‘rëndomtë’ si shkëmbim territori.

Pra, në këtë kontekst të tillë po zhvillohet takimi i Berlinit, i cili nuk është një takim rutinë, ashtu siç janë përpjekur që ta shkruajnë disa nga udhëheqësit e Kosovës. Merkel dhe Makron nuk është se kanë kohën e bollshme të merren me Ballkanin në një format të tillë i cili i ka angazhuar për disa orë, por është një takim i rëndësishëm për disa arsye: pasi Merkel dhe Makron synojnë të afirmojnë qëndrimin e këtij aksi të ri antitetik dhe kundërvënës përkundrejt SHBA-ve, siç u tha më lart.

Të minimizosh rëndësinë e këtij takimi nuk është zgjidhja e duhur.

Vajtja me një avion të përbashkët i udhëheqësve të Shqipërisë me ato të Kosovës, ishte një lëvizje e cila ndonëse u komentua banalisht dhe në pikëpamje të kronikës rozë, i jepte dinjitet të dy shteteve por tregonte në fund të fundit dhe një përpjekje për të harmonizuar qëndrimet brenda për brenda Kosovës por edhe midis Kosovës e Shqipërisë.

Shqipëria vlen më shumë në arenën ndërkombëtare bashkë me Kosovën, ashtu siç Kosova vlen më shumë bashkë me Shqipërinë.

Kur shkon puna tek këto negociata pritet që këto dy shtete të rëndësishme Franca dhe Gjermania t’i urdhërojnë apo imponojnë në një farë mënyre Kosovës dhe Serbisë një linjë tjetër, ndonëse Franca dallon pak nga Gjermania në raport me atë se si ka funksionuar deri tani, që parashikon siç thuhet më lart edhe korrigjimin e kufijve.

E pranishme do të jetë edhe zonja Mogherini në vend të Presidentit të Komisionit Evropian, luksemburgezi Jean Claude Juncker.

Pra, kemi një përpjekje për të imponuar një linjë evropiane në oborrin e vet. Ballkani është ‘oborri i Evropës’.

Është shumë interesante për të parë se cila do të jetë kjo linjë, që është mbajtur sekret.

Cilat janë linjat e kësaj direktive evropiane?

Flitet për sovranitet të dyfishtë në veri, midis Kosovës dhe Serbisë, por që ne mund ta interpretojmë atë që do të ndodhë nga qëndrimet e atyre që janë protagonistë nga Vuçiç dhe z. Thaçi, dhe deklaratat e tyre paraprake para takimit.

Z.Thaçi ka bërë të qartë se ky do të jetë një takim rutinë dhe se ne presim që qëndrimin ta marrim nga SHBA-të, gjë që bie ndesh me rezolutën e miratuar në 2010-ën ku thuhet se negociatat i udhëheq Bashkimi Evropian.

Ndërkohë që Vuçiç bën pesimistin duke thënë që do të jetë një takim i vështirë për shkak se të gjithë shtetet që marrin pjesë janë në lidhje me Serbinë. Është për tu nënvizuar që në delegacionin e Kosovës bëjnë pjesë Kryeministri dhe Presidenti, diçka që në një farë mënyre është futje e asaj linje të ashpër që ka ndjekur z. Haradinaj nëpërmjet vendosjes së taksës, por thekson mospërputhjen midis krerëve të institucioneve kosovare dhe që mund të krijojë probleme jo thjeshtë estetike përbrenda delegacionit të Kosovës.

Linja sipas së cilës negociatat me Serbinë do të duhet t’i udhëheqë SHBA është një linjë përplasëse me BE-në, Gjermaninë dhe Francën dhe mund të vërë në rrezik serioz edhe liberalizimin e vizave që është objektivi numër një imediat i Kosovës, në zhvillimet e ardhshme.

Kështu që, presim lajmet e vërteta që do të vijnë, jo thjeshtë ato të kronikës rozë, përqafimet, intensitetin e tyre midis vetë politikanëve.

Është parë një përqafimi i Ramës me Vuçiçin por ndërkohë ngjan si përqafim që përpiqet të shmangë puthjen treshe të serbëve në faqe që është klasike në Ballkan dhe që ndonjëherë gjendet edhe në Kosovë.

Me video:

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN