MENU
klinika

Deklarata

Thaçi: Vuçiç, njeri i vështirë për të negociuar!

17.04.2019 - 09:03

Si rezultat i kushteve që ka vendosur pala serbe për heqjen e taksës ndaj mallrave të tyre, dialogu Kosovë-Serbi është ndërprerë prej muajsh.

Nga ana tjetër, kryeministri Haradinaj këmbëngul se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia të njohë Kosovën si shtet.

Në një intervistë për gazetën britanike “Independent”, presidenti Thaçi ka folur në lidhje me takimet që ka pasur me homologun e tij serb në Bruksel.

Zotëri Vuçiç patjetër ka ndryshuar, kryesisht për shkak se ai ka kaluar kohë të vështira për shkak të gabimeve të tij. Regjimi që ai i përkiste dikur ishte i keq, një regjim që bëri shumë dëm jo vetëm për Kosovën, Bosnjën dhe Kroacinë, por edhe vetë Serbisë.

Vuçiç është një person shumë i vështirë për të negociuar, për të bërë dialog. Por unë nuk e kam zgjedhur atë si homologun tim, ai nuk më ka zgjedhur mua si homologun e tij, është realiteti i këtyre dy shteteve sovrane”, ka thënë Thaçi.

Ai ka komentuar edhe protestat e opozitës serbe kundër presidentit Aleksandar Vuçiç.

Në vitet 1998 dhe ’99, Vuçiç dhe unë ishim në opozitë. Ne fituam, ai humbi. Megjithatë, ai është një udhëheqës legjitim. Liderët në Kosovë dhe Serbi u votuan nga qytetarët.

Ne kemi ndryshuar të gjitha në një mënyrë pozitive, ne duhet të evoluojmë.

Tani nuk flasim për luftë dhe konflikt, por flasim për arritjen e paqes. Ka pasur demonstrata të fundit në Serbi dhe ekziston rreziku që ata mund të trembin Vuçiç për arritjen e një marrëveshje, por ne nuk shpresojmë.

Për fat të keq, gjithmonë do të ketë të tillë që janë kundër paqes”, theksoi ai.

Duke folur për Specialen e themeluar në Hagë më 2017, e cila po heton akuzat për kinse krime lufte, presidenti Thaçi këmbëngul se nuk ka asgjë për t’u frikësuar.

“Si gjithmonë, nuk do të ikim, nuk do të turpërohemi, do të përballemi dhe unë jam i bindur se do ta kapërcejmë me dinjitet dhe integritet.

Unë personalisht jam shumë krenar që isha një nga drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjithmonë do të ketë zëra që përpiqen të denigrojnë Kosovën ose të akuzojnë Kosovën, të njollosin Kosovën dhe mua personalisht.

Por kjo nuk do të thotë se unë kam ndonjë hezitim në atë që është rruga jonë përpara dhe si duhet të vazhdojmë përpara. Unë besoj në drejtësi. Ajo që nuk duhet të lejojmë të ndodhë është që historia të rishkruhet”, ka thënë ai