MENU
klinika

Mysafir i mbretëreshës

Trump vizitë treditore në Britani në qershor

23.04.2019 - 15:53

Presidenti i SHBA Donald Trump do të bëjë një vizitë tre-ditore në Mbretërinë e Bashkuar nga 3 deri më 5 qershor.

Presidenti dhe Zonja e Parë Melania Trump do të jenë mysafirë të Mbretëreshës dhe do të marrin pjesë në një ceremoni në Portsmouth për të shënuar 75 vjetorin e kapitullimit të ushtrisë gjermane në Francën veriore si pasojë e mësymjes amerikano-britanike, më 6 qershor 1944.

Ai gjithashtu do të zhvillojë bisedime me kryeministren.

Herën e fundit Trump u takua me Mbretëreshën në Windsor Castle, kur ai erdhi në Mbretërinë e Bashkuar në korrik 2018 në një vizitë pune.

Ai gjithashtu zhvilloi bisedime me May para se të shkonte në Skoci.

May tha se vizita shtetërore e qershorit ishte një “mundësi për të forcuar marrëdhëniet tashmë të ngushta në fusha të tilla si tregtia, investimet, siguria dhe mbrojtja, dhe për të diskutuar se si mund të ndërtohen këto lidhje në vitet në vijim.

Shtëpia e Bardhë tha se vizita do të ripohojë “marrëdhënien e palëkundur dhe të veçantë midis Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar”.

Vende të tjera të ftuara në aktivitetin më 5 qershor  janë Kanadaja, Franca, Gjermania, Australia, Zelanda e Re, Belgjika, Luksemburgu, Polonia, Norvegjia, Danimarka, Holanda, Greqia, Sllovakia dhe Republika Çeke.

Pas largimit nga Britania e Madhe, Trump dhe gruaja e tij do të udhëtojnë për në Francë.

Mbretëresha ka organizuar dy vizita të mëparshme shtetërore nga presidentët amerikanë, George W Bush në nëntor 2003 dhe Barack Obama në maj të vitit 2011.

Mbretëresha zakonisht fton  një ose dy krerë shteti në vit. Ajo ka organizuar 109 vizita shtetërore që kur u bë mbretëreshë në vitin 1952.

Korrespondenti i BBC, Jonny Dymond tha se Trump shmangi Londrën në vizitën e tij të fundit dhe e bëri të qartë se ai nuk dëshironte të shkonte në kryeqytet nëse ai do të përballej me protesta.

Pritet që Mbretëresha të organizojë një banket për rreth 150 të ftuar në nder të zotit Trump.