Gjatë ditës së sotme qarkulloi lajmi se deputeti i ri i opozitës Ralf Gjoni dhe ish-deputeti demokrat Ervin Salianji pas një përplasjeje me fjalë që patën në emisionin “Open” kanë kaluar në një sherr me grushte jashtë ambjenteve të studios.
Sipas lajmit të shpërndarë në media bëhej me dije se Gjoni dhe Salianji u goditën në shkallët e televizionit duke fyer e sulmuar njëri-tjetrin. Ishte Salianji ai i cili e sulmoi i pari fizikisht deputetin e ri të opozitës.
Në lidhje me këtë ka ardhur një reagim nga Ralf Gjoni. Përmes një postimi në Facebook ai shkruan se muskujt duhen treguar në rrugë dhe idetë në Parlament.
“IDETË NË PARLAMENT – MUSKUJT NË RRUGË!
Çdo ditë që kalon po ma forcon bindjen se Shqipëria ka nevojë për një platformë të vërtetë politike kombëtare, dalë nga vota e lirë dhe e barabartë e shqiptarëve.
Politika nga platformë idesh në parlament është kthyer në platformë muskujsh në rrugë.
Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për një kastë të re e të pastër politike që e do këtë vend. Shqiptarët kanë nevojë dhe kërkojnë një projekt të pavarur politik bazuar mbi ide, vizion dhe angazhim konkret për t’i dhënë zgjidhje problemeve reale të tyre.
Kjo vjen vetëm përmes ndryshimit të sistemit zgjedhor e përfaqësimit dinjitoz, dhe ne këtë axhendë të panegociueshme do shtyjmë në parlament”, shkruan Gjoni.