MENU
klinika

Problemet me Komisionin Europian

3.5 miliardë euro gjobë për Italinë?

28.05.2019 - 16:28

Komisioni Europian po shqyrton propozimin e një procedure disiplinore për Italinë javën e ardhshme për shkak të refuzimit të qeverisë italiane për të ulur vlerat e borxhit publik , gjë që mund të hapë rrugën për një dënim prej 3.5 miliardë euro.

Ky hap mund të vijë si pjesë e procesit të rregullt të monitorimit të buxhetit të Bashkimit Evropian. Vendimi nuk është finalizuar, por një zëdhënëse e ministrisë së financave italiane nuk pranoi të komentojë.

Zëvendëskryeministri italian, Mateo Salvini, njoftoi të martën se masa disiplinore mund të bëhet publike në datën 5 qershor.

Kryetari i lëvizjes “Lidhja”, parti e cila fitoi shumicën e mandateve për Italinë në zgjedhjet e fundit europiane, tha se do të luftojë me të gjitha forcat ndaj kërcënimeve të Brukselit.

Ai i cilësoi rregullat fiskale të Europës si të dala mode dhe të padrejta, duke shprehur habi që burokratët europianë mendojnë për masa disiplinore në një kohë kur rajone të caktuara vuajnë nga papunësia e lartë deri në 50 për qind ndër radhët e të rinjve.

Rekomandimi i komisionit do të jetë vetëm një hap në një proces të gjatë dhe të ndërlikuar. Ministrat e financave të BE do të duhet të nënshkruajnë një rekomandim të ashtuquajtur të procedurës së deficitit të tepruar, në të cilin mund të kërkohet një “depozitë pa interes” deri në 0.2% të prodhimit të brendshëm bruto, rreth 3.5 miliardë euro.

Ministrat e financave të BE do të duhet të thonë nëse ata pajtohen me propozimin e komisionit – ndoshta në mbledhjen e tyre të ardhshme në fillim të korrikut. Nëse Italia nuk i përmbahet kërkesës së depozitave, do të ishte një shkelje e ligjit të BE-së.

Vendimi përfundimtar për gjobat e mëtejshme nuk mund të vijë për muaj, pasi Italisë  i është dhënë kohë për të korrigjuar financat e saj. BE nuk ka gjobitur deri tani asnjë vend për buxhetin.

Dënimi prej 0,2 për qind e prodhimit kombëtar të Italisë ishte paralajmëruar disa muaj më parë nga ekonomistët europianë. Shkak u bë arsyetimi i qeverisë së Romës për të rritur në mënyrë të rrezikshme shpenzimet qeveritare në buxhetin e vitit 2019.

Hapi i Brukselit vjen vetëm disa muaj pasi komisioni vendosi të mos fillojë një procedurë të ashtuquajtur të deficitit të tepërt kundër Italisë, pasi qeveria populiste e vendit premtoi të frenojë disa nga shpenzimet e saj.

Ministri i Brendshëm, Salvini, tha se qytetarët i kanë zgjedhur në pushtet për të sjellë ndryshime dhe rritje ekonomike, por niveli aktual i borxhit publik të Italisë e ka kaluar me dyfish normat tavan të BE-së duke prekur vlerën 132 për qind.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Zv. kryeministri kërcënon BE

Shtohen tensionet Itali-BE