MENU
klinika

Propozimi i 8 vendeve

Çereku i buxhetit të BE për ndryshimet klimatike?

08.05.2019 - 15:02

Tetë vende evropiane kanë bërë thirrje për një strategji ambicioze për të trajtuar ndryshimet klimatike, dhe për të shpenzuar një të katërtën e buxhetit të përgjithshëm të BE-së në luftën kundër kësaj.

Deklarata e përbashkët u nënshkrua nga Franca, Belgjika, Danimarka, Luksemburgu, Hollanda, Portugalia, Spanja dhe Suedia.

Grupi thotë se plani i tyre mund të “shkojë krah për krah me prosperitetin” dhe “të japë një shembull për vendet e tjera “.

Dokumenti vjen përpara një samiti të madh të udhëheqësve europianë në Rumani, duke filluar nga e enjtja, e cila do të diskutojë të ardhmen e Evropës dhe strategjinë e BE për pesë vitet e ardhshme.

Por jo të gjithë janë dakord  ka shumë vende në BE që mungojnë dhe janë lojtarë të rëndësishëm, përfshirë Gjermaninë.

Tetë vendet mendojnë se ndryshimi i klimës ka “implikime të thella për të ardhmen e njerëzimit” dhe se ndikimet e saj janë tashmë të dukshme.

Grupi gjithashtu thotë se qytetarët e tyre janë të shqetësuar qartë “siç tregohet nga mobilizimi i fundit i të rinjve” , duke iu referuar marshimeve nga nxënësit në të gjithë kontinentin.

Protestat në Londër në prill gjithashtu morën një vëmendje dhe u përhapën në vende të tjera.

Për momentin, vendet e BE-së duhet të ulin emetimet e gazrave serrë me 20% nga nivelet e tyre të 1990 deri në vitin 2020, me qëllim që kjo të shkojë deri në një reduktim prej 40% deri në vitin 2030.

Presidenti francez Emmanuel Macron e ka bërë ndryshimin e klimës një çështje kyçe për fjalimet e fushatës, ndërsa Suedia ka njoftuar tashmë planet  e saj lidhur me këtë.

Duke folur në një konferencë shtypi me Kryeministrin hollandez Mark Rutte të hënën, Macron tha se dokumenti i përbashkët ishte “ambicioz”.

Qëllimi i një Europe neutrale ndaj karbonit deri në vitin 2050 nuk është i ri, është propozuar nga Komisioni Evropian në nëntor 2018. Por propozimet e tilla kanë nevojë për mbështetjen e Parlamentit Europian; dhe përfundimisht miratimin e Këshillit Europian, i përbërë nga udhëheqësit e secilit shtet anëtar.