MENU
klinika

Beogradi pret artin kosovar

Dy hapësira kulturore shkrihen në një

29.05.2019 - 12:01

   Beogradi i çeli sot dyert, festivalit “Mirëdita, dobar dan!”. Ngjarja unike që përshfaq anën sociale dhe atë kulturor të Kosovës në Beograd, daton që nga viti 2014.

Rreth 50 artistë kosovarë të fushave të ndryshme udhëtojnë këtë të mërkurë për në kryeqytetin e Serbisë, në Beograd, për të marrë pjesë në festivalin “Mirëdita, dobar dan!”, nga 29 maji deri më 1 qershor.

 

 

 

 

Festivali ka në qendër bashkëpunimin mes artistëve që përfaqësojnë Kosovën dhe ata që përfaqësojnë Serbinë, duke i hapur rrugë kështu, normalizimit dhe qëndrueshmërisë së marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

“Këtë vit, festivali zhvillohet në një periudhë specifike, kur marrëdhënia midis Prishtinës dhe Beogradit është në nivelin më të ulët që nga fillimi i Marrëveshjes së Brukselit. Një krizë e dukshme politike po reflektohet në jetën e përditshme të qytetarëve në Kosovë dhe Serbi. Kjo dekurajon më tej bashkëpunimin mes dy shoqërive, jo vetëm në sferën kulturore, por edhe në tregti, sport, arsim dhe në të gjithë sektorët e tjerë. Festivali i dërgon një mesazh të qartë publikut dhe elitës politike të Kosovës dhe të Serbisë – barrierat duhet të thyhen, jo të ndërtohen”, – thuhet në komunikatën zyrtare të festivalit.

Ashtu sikur edhe gjatë viteve të kaluara, edhe këtë vit vizitorët do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për skenën kulturore të Kosovës përmes një sërë dramash, shfaqjesh, filmash, koncertesh dhe ekspozitash. Një pjesë e festivalit do t’i kushtohet diskutimeve dhe debateve për të ardhmen e marrëdhënieve Prishtinë – Beograd dhe rëndësinë e bashkëpunimit për të dy shoqëritë.

Çelja zyrtare e festivalit “Mirëdita, dobar dan!” do të bëhet sot, me shfaqjen e filmit “Cold November”, me regji të Ismet Sijarinës, film ky, që është prezantuar në shumë festivale ndërkombëtare të filmit të cilat kanë rezultuar me dy çmime dhe tri nominime.

Njëkohësisht, ngjarja që e do t’i paraprijë hapjes do të jetë performanca artistike “Let’s make love”, nga Shkumbin Tafilaj.

 

 

 

Gjatë festivalit, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë filmin dokumentar “Ferdonija”, film ky nga Gazmend Bajri dhe Shkurte Dauti, me subjekt jetën e një gruaje që ka humbur familjen gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Po ashtu, shfaqja teatrore me regji nga aktori dhe regjisori i famshëm shqiptar Enver Petrovci, e titulluar “Kreolët e Ballkanit”, do të prezantohet gjatë festivalit për të gjithë dashamirësit e teatrit.

Gjatë festivalit do të organizohen tre debate të ndryshme, për të diskutuar çështje lidhur me personat e pagjetur, shkrimin e dramave të reja në Kosovë dhe librat e historisë. Së bashku me këto debate, do të promovohen tre botime specifike: Libri i Kujtesës me tregimet e familjeve të të pagjeturve “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve” të botuar nga forumZFD në Kosovë dhe Integra, “One Fleë Over The Kosovo Theater – Një Antologji e Dramës Bashkëkohore nga Kosova” botuar nga Multimedia (Kosovë) dhe Beton (Serbi). “Historia e Kosovës në tekstet e historisë së Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë”, shkruar nga Shkëlzen Gashi dhe botuar nga Alter Habitus.

 

 

 

 

Performanca përmbyllëse e edicionit të këtij viti, do të jetë një koncert shumë emocionues i trios “Don’t listen to your neighbours” nga Gjakova, të cilët janë të mirënjohur për koleksionin e rafinuar të repertorit tradicional shqiptar, ndërsa vitet e fundit ata janë dalluar për një stil mjaft unik, me elemente të muzikës xhaz, që na vijnë në mënyrë të sofistikuar. Më pas, performanca e DJ Matale-s nga Prishtina, do të përmbyllë “Mirëdita, dobar dan!”.

Frymëzim për festivalin “Mirëdita, dobar dan!” është aktori i mirënjohur shqiptar, kosovaro-jugosllav, por i gjithë botës, Bekim Fehmiu, i cili simbolizon unitetin, si edhe ndarjen e gjithashtu, mundësinë e bashkimit të dy hapësirave kulturore në një të vetme./Konica.al

Përgatiti: Hera Lera

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit