Leonardo nuk do të jetë i vetmi që do të divorcohet me Milani këtë të martë.
Tani është thuajse e sigurt që trajneri Gattuso ka vendosur të japë dorëheqjen, pas dështimit për të siguruar një vend në Champions për sezonin e ardhshëm.
Gjatë mbrëmjes të së hënës, Rino është shprehur se po i jep fund bashkëpunimit me kuqezinjtë.
“Nuk është e thjeshtë të vendosësh për t’u larguar nga Milani, por është një vendim që duhet ta marr pas 18 muajve si trajner i një skuadre që për mua nuk do të jetë kurrë si të tjerat.
Gjatë këtyre muajve kam jetuar me një pasion të madh, janë muaj të paharrueshëm. A heq dorë nga paga e dy viteve të mbetura? Po, sepse historia ime me Milanin nuk mund të jetë kurrë çështje parash.”, u shpreh italiani për “La Reppublica”.
Gattuso ka vërtetuar edhe një herë se lidhja e tij me Milani është çështje zemre dhe jo çështje parash teksa është larguar pas dështimit për arritjen e Champions League.