MENU
klinika

Almanak

Histori/ Çfarë ka ndodhur më 30 maj?

30.05.2019 - 08:05

1498 – Kristofor Kolombi niset me 6 anije për udhëtimin e tretë në Amerikë. Tre nga anijet shkuan në ishullin Hispaniola (sot Haiti dhe Republika Domenikane), ndërsa Kolombi me 3 anijet e tjera u nis për eksplorim të rajonit Karaibe. Gjatë këtij udhëtimi, Kolombi vërejti se Toka nuk ishte sferë e përkryer. Gjithashtu ai spekulloi se kontinenti i ri mund të kete qenë vendndodhja e Kopshtit biblik të Edenit. Kolombi u kthye në Hispaniola më 19 gusht, vetëm për të gjetur se shumë nga kolonët ishin hedhur në rebelim kundër pushtetit të tij – rebelët thonin se Kolombi i kishte mashtruar se do të gjenin pasuri të shumta në Botës së Re. Kolombi, si guvernator i ishullit, e shtypi rebelimin dhe dënoi me varje disa anëtarë të ekuipazhit, për mosbindje. Në ditarin e tij në shtator 1498 ai shkruan: “Ishulli është i pasur; prej këtu dikush mund të dërgojë shumë skllevër për t’i shitur në Evropë.” Në vitin 1500, mbretëria e Spanjës e shkarkoi Kolombin nga posti i guvernatorit, e arrestoi, dhe e transportoi të lidhur me zinxhirë në Spanjë. Më pas, Kolombi u lirua dhe u lejua të kthehej në Botën e Re, por jo si guvernator.

1539 – Eksploruesi spanjoll Hernando de Soto zbulon Floridën.

1783 – Benjamin Towne boton Pennsylvania Evening Post, gazeta e parë e përditëshme në SHBA.

1806 – SHBA; Presidenti i ardhshëm Andrew Jackson vret Charles Dickinson në një duel, pasi Dickinson e kishte akuzuar gruan e Jacksonit për bigami. Jackson nuk u ndoq penalisht për vrasjen, dhe dueli pati shumë pak efekt në fushatën e tij të suksesshme presidenciale më 1829. Shumë amerikanë në fillim të viteve 1800, sidomos në Jug, e shihnin duelin si një traditë burrërie. Më 1804 , edhe nënpresidenti Aaron Burr iu shmang akuzave për vrasje në duel të ish- sekretarit të Thesarit, Alexander Hamilton, një nga themeluesit e Shteteve të Bashkuara.

1808 – Itali; Napoleon Bonaparti anekson Toskanën dhe i jep kësaj krahine vende përfaqësimi në Senatin francez.

1832 – Duel fatal: Evariste Galois (Galua) plagoset rëndë në duel dhe vdes të nesërmen në moshën 20-vjeçare. Galua ishte matematicien dhe republikan radikal. Motivet e vërteta prapa duelit kanë mbetur të panjohur. Ajo që dihet është se pesë ditë para vdekjes, ai i shkroi letër një miku të tij ku i tregonte mbi një dashuri të humbur. Fjalët e fundit të Galuasë ishin ato drejtuar vëllait të vet, Alfred, nga shtrati i vdekjes: “Mos qaj, Alfred, sepse kam nevojë për të gjithë kurajon time për të vdekur 20 vjeç!”

1835 –Angli; lindi Alfred Austin, kritik, romancier dhe gazetar politik. Edhe pse studioi për ligj, jeta e tij profesionale u përqendruar në letërsi. Austin u botua rregullisht për gjysmë shekulli dhe zuri vendin e Tennysonit si poet laureat i Anglisë në vitin 1896, megjithatë, ai citohet si poeti anglez më pak i lexuar. Kritikët thonë se Afred Austin ishte gjeni, por mburrej se ishte i tillë dhe kjo e bënte atë më pak popullor. Vdiq në Londër më 1910

Verbim i Dashurisë, nga Alfred Austin
(shqipërim)

Tani e di që dashuria është e verbër, sepse unë
S’mund të shoh asnjë ngjyrë në këtë tokë të bukur,
Jo jetë, jo dritë, nuk kam besim në të ardhmen, nuk kam gëzim,
As kënaqësi e as qëllim, kur ti nuk je afër .
Mungesa jote mërgon diellin nga qielli,
Sjell fundin e pranverës, kontrollon ardhjen e verës,
Dhe bën të gjendet me bollëk, vetëm vdekje.
Por kur ti çan errësirën, dhe
Me sytë e çelur ndriçon zymtësinë time,
Papritmas zog në çdo degë këndon,
Qielli hapet, toka çahet gjithnjë e më pak,
Dheu është i gjallë si eter tani,
Çdo gjë duket e bukur kur ti afrohesh.

1848 – Meksika ratifikon traktatin duke i dhënë SHBA-së; New Meksikon, Koloradon dhe pjesë të Nevadës, Utahn, Arizonën në këmbim të 15 milionë dollarëve.

1909 – Reuben Siegel vuri themelin e shtëpisë së parë në Tel – Aviv. Qyteti Tel Aviv u themelua nga komuniteti hebre në periferi të qytetit të lashtë port të Jaffas. Më pas, Tel Avivi dhe Jaffa u bashkuan në një komunë të vetme në vitin 1950, dy vjet pas krijimit të shtetit të Izraelit. Që nga viti 2003, Tel Aviv (Qytet i Bardhë) është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESKO.

1913 – Nënshkruhet Traktati i Londrës mbi rregullimin e territoreve që dolën nga përfundimi i Luftës së Parë Ballkanike. Palët luftuese ishin Lidhja fitimtare e Ballkanit (Serbia, Greqia, Bullgaria, dhe Mali i Zi ) dhe Perandoria e mundur Osmane. Fuqitë e mëdha ishin Britania, Gjermania, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia. Luftimet kishin pushuar zyrtarisht më 2 dhjetor 1912, ndërsa jo zyrtarisht, serbët dhe grekët vazhdonin marrjen e territoreve; Në konferencën e Londrës – e cila filloi punimet në dhjetor 1912, pak pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë – u diskutuan tre pika kryesore që ishin burim mosmarrëveshjesh:


1- statusi i territorit të Shqipërisë, kryesisht e pushtuar nga Serbia, Mali i Zi, dhe Greqia.
2- statusi i Novi Pazarit zyrtarisht nën mbrojtjen e Austro-Hungarisë që prej Traktatit të Berlinit në vitin 1878.
3- statusi i territoreve të tjera: Kosovë, Maqedoni, Traki.

Austro-Hungaria dhe Italia mbështetën fuqimisht krijimin e Shqipërisë së pavarur. Pjesërisht, ky qëndrim ishte në përputhje me politikat e mëparshme të Austro- Hungarisë që rezistonin zgjerimin serb deri në Adriatik. Rusia mbështeste Serbinë dhe Malin e Zi; Gjermania dhe Britania mbajtën qëndrim neutral; ndërsa anëtarët e Lidhjes Ballkanike ishin kundër një shteti shqiptar dhe kërkonin që ky territor të ndahej mes tyre.

Sigurisht, këto pretendime u hodhën poshtë, dhe Konferenca e Londrës e njohur pavarësinë e Shqipërisë, përcaktoi kufijtë e Shqipërisë dhe u kërkoi Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë të tërhiqeshin nga trojet e pushtuara shqiptare. Megjithatë, shqiptarët gjithmonë e kanë parë Traktatin e Londrës si të padrejtë dhe të imponuar nga Fuqitë e Mëdha, me arsyetimin se rreth 30 % – 40 % e të gjithë shqiptarëve etnikë u lanë jashtë shtetit.

1922 – Përurohet përmendorja e Linkolnit në Uashington, DC. Monumenti u projektua nga Henry Bacon në formën e një një tempulli të lashtë dorik, rrethuar nga 36 kolona që përfaqësojnë numrin e shtetet të Unionit në kohën e vdekjes së presidentit. Brenda ‘tempullit’ është një statujë gjigande e Lincolnit ulur në poltron, vepër e skulptorit Daniel Chester, si dhe dy murale nga Jules Guerin.

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe