MENU
klinika

Almanak

Histori/ Çfarë ka ndodhur më 6 maj?

06.05.2019 - 07:57

6 Maj 1856 – Lind “babai” i psikanalizës Sigmund Freud

Sigmund Freud lindi në Moravi, rajon në pjesën lindore të Republikës Çeke, ndërsa pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Vienë të Austrisë.

Ai studioi për mjekësi dhe nga fundi i shekullit XIX-të, doli me disa ide të reja shumë interesante rreth mendjes së njeriut. Gjithsesi punimin e tij të parë shkencor Freud ia kushtoi kafshëve të detit, përfshi seksualitetin e ngjalave.

Ai ishte një nga shkencëtarët e parë që kreu kërkime serioze rreth mendjes, duke zhvilluar biseda të gjata me pacientët, dhe studionte ëndrrat e tyre për të gjetur shkaqet e problemeve mendore dhe emocionale.

Freud përdorte edhe hipnozën, si mënyrë për të parë nëse pacientët do ta kishin më të lehtë të lehtësonin mendjet e tyre të trazuara. Por në shumicën e rasteve, efektet pozitive ishin të përkohshme.

Freud besonte se të gjitha kujtimet e dhimbshme të fëmijërisë ruhen thellë pa vetëdije në mendje. Kjo pjesë e mendjes, thoshte ai, përmban urime, dëshira dhe përvoja shumë të frikshme për t’u marrë vesh nga të tjerët.

Ai mendonte se këto kujtime mund të sillen në mendjen e vetëdijshme, pacienti do të ndjente sërish dhimbje, por këtë herë personi do t’i përjetonte si një i rritur; do t’i ndjente, shqyrtonte dhe së fundmi do t’i kuptonte ato.

Frojdi arsyetonte se duke përdorur këtë metodë, dhimbja dhe trysnia emocionale e së kaluarës do të dobësohej dukshëm; këto ndjenja do të humbitnin forcën e tyre, dhe së shpejti pacienti do të ndjehej më mirë.

Ai doli me propozimin se mendja është e ndarë në tri pjesë: Id, Ego dhe Superego.

Sipas kësaj teorie, Superego vepron si një përmbajtës që udhëhiqet nga vlerat të cilat njeriu i mëson nga prindërit dhe shoqëria.

Puna e Superegos është të mbajë Id-in nën kontroll. Id është tërësisht pa ndjenja, por shërben si ushqim për ndjenjat që kërkojnë kënaqësinë e menjëhershme a plotësimin me çdo kusht të nevojave dhe dëshirave.

Ego – Uni ose Vetja ofron reagim të menjëhershëm për ngjarjet e realitetit. Uni është vija e parë e mbrojtjes e vetes nga tjetri. Uni përpiqet të balancojë dy ekstremet, Id dhe Superego,

Shumë nga teoritë e Freud mbi mënyrën se si funksionon mendja gjithashtu, kishin lidhje të forta seksuale.

Këto ide përfshinjnë ato që Frojdi i cilësoi si ndjenjat e shtypura të djemve ndaj nënave, dhe vajzave ndaj etërve.

Frojdi u propozua edhe për marrjen e çmimit Nobel, por edhe pse zbuloi shumë, kontribuoi shumë dhe hartoi teori të rëndësishme, nuk e fitoi kurrë këtë çmim.

Vajza e tij Anna Freud, nisi të shoqëronte nëpër seminare të ndryshme, dhe ndonjëherë e zëvendësonte. Anna ishte fillimisht paciente e të atit, më pas studoi vetë psikanalizën, dhe u angazhua sekretare e tij, infermiere por edhe si kolegia më e besuar.

Ardhja e nazistëve në pushtet në Gjermani dhe përndjekja e hebrenjve, e detyroi Freud të largohet më 1938 në Angli. Më 1923, Frojdi u diagnostikua me kancer në gojë, dhe për këtë iu nënshtrua dhjetëra operacioneve, që në fillimet e para të sëmundjes në Austri.

Pak pas mbërritjes së tij në Angli, dhimbjet e tij u bënë aq të mëdha, sa që mjeku i tij i injektoi në një rast një dozë vdekjeprurëse morfine më 23 shtator të vitit 1939.

Frojdi është quajtur babai i psikanalizës, edhe pse sot shumë psikologë i kanë hedhur poshtë tezat e tij. Por të gjithë bien në një mendje mbi ndikimin e tij të madh, mbi shkencën e shëndetit mendor.

6 Maj 1994 – Hapet tuneli nënujor që lidh Francën me Anglinë

Në një ceremoni madhështore të kryesuar nga Mbretëresha Elizabeta II e Anglisë dhe Presidenti francez Francois Mitterand, hapet zyrtarisht linja hekurudhor nën Kanalin Anglez, që lidhi Britaninë dhe kontinentin Europian, për herë të parë që nga Epoka e Akullnajave.

Tuneli i Kanalit, lidh Folkstone në Angli me Sangatte në Francë me një distancë prej 31 miljesh. Ajo e shkurtoi në vetëm 35 minuta kohën e udhëtimit nga Anglia në Francë. Tuneli më i gjatë nënujor në botë ka një gjatësi prej 23 miljesh, me një thellësi mesatare prej 50 metrash nën shtratin e detit.

Çdo ditë, rreth 30 mijë njerëz, 6.000 makina dhe 3.500 kamionë kalojnë përmes tunelit.

Miliona tonë inerte u zhvendosën për të ndërtuar dy tunelet hekurudhore, ndërsa u punësuan 15 mijë njerëz në kulmin e ndërtimit.

Dhjetë prej tyre gjetën aksidentalisht vdekjen. Kostoja e projektit prej 16 miliardë dollarësh, ishte afërsisht dyfishi i vlerësimit fillestar, dhe vepra përfundoi një vit pas afatit të parashikuar.

6 Maj 1453 – Pas një rrethimit prej 2-mujor, Kostandinopoja bie në duart e trupave osmane të udhëhequra nga sulltan Mehmeti II.

Pas pushtimit, qyteti merr emrin Stamboll, duke u bërë kryeqyteti i perandorisë osmane dhe kryeqendra e kulturës islame, ndërsa Hagia Sofia u shndërrua në xhami. Me pushtimin, mori fund edhe Perandoria Bizantine.

6 Maj 1527 – Trupat spanjolle dhe ato gjermane pushtojnë Romën. Disa historianë e lidhin këtë akt me fundin e Rilindjes Italiane. 147 rojet zvicerane vdesin duke luftuar, që të lejonin Papa Klementin VII të arratisej në Castel Sant’Angelo.

6 Maj 1889 – Kulla Eifel, hapet zyrtarisht për publikun në Ekspozitën Universale në Paris.

6 Maj 1903 –Aleksander Obrenoviç, mbreti i Serbisë dhe bashkëshortja e tij Draga, vriten në Beograd nga organizata e fshehtë ushtarake ”Dora e Zezë”.

6 Maj 1976 – Një tërmeti i fortë prej 6.5 ballësh godet Friulin në Italinë Veriore, duke shkaktuar afro 1 mijë të vdekur dhe mbi 2 mijë të plagosur.

6 Maj 1996 – Trupi i ish drejtorit të CIA – s, Uilliam Kolbi, gjendet në bregun e një lumi në jug të Merilendit, 8 ditë pasi ishte zhdukur.

6 Maj 1997 – Banka e Anglisë fiton pavarësia nga kontrolli politik, ndryshimi më i rëndësishëm në historinë 300-vjeçare të saj.

6 Maj 2001 – Gjatë një udhëtimi në Siri , Papa Gjon Pali II bëhet papa i parë katolik që hyn në një xhami.

6 Maj 2002 – Politikani holandez, Pim Fortuyn, vritet vetëm pak minuta pasi dha një intervistë në një radio lokale.

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe