MENU
klinika

Kompozitori i "Asturias"

Albeniz-romantiku i vonuar i fundshekullit XIX

23.05.2019 - 15:50

   Albeniz njihet si pionieri i rilindjes së muzikës spanjolle, krijuesi i shkollës moderne të magjisë pianistike, përcaktoi romantizmin spanjoll dhe la gjurmë të pashlyera në rrymën kombëtare, si dhe tek pasardhësit e drejtpërdrejtë si Turina apo Falla. Risitë në të shkruar kanë ndikuar kompozitorët bashkëkohorë nga Messiaen tek Stockhausen.

Albeniz, ky romantik i vonuar i fundshekullit XIX, vjen pak pas Brahmsit dhe Shumanit, bashkëkohës me Mahlerin, njëherazi modern, pasi lindi 50 vjet pas Vagnerit dhe Lisztit, sikundër një impresionist i ndikuar nga muzika e bashkëkohësit Debysi. Pianisti i famshëm mbetet origjinal dhe aventurier në historinë e muzikës, përmes karrierës dhe trajnimit muzikor jashtë të zakonshmes.

Fëmijë bredharak dhe aventurier, një pianist gjeni dhe kompozitor i përfshirë në përtëritjen e  muzikës spanjolle, Izak Albeniz është një personazh atipik, po aq aq i gjallë, sa edhe muzika e tij. Mjafton të përmendet emri “Albeniz” dhe sakaq ritme andaluziane na kumbojnë në kokë, melodia kokëfortë e “Asturias” dëgjohet deri larg, nën tingujt e kitarës, dhe Spanja flakëruese e Enrike Granados apo Antoni Gaudit duket se nuk ka qenë kurrë kaq e gjallëruar. E megjithatë, Isak Albeniz nuk ishte më tepër andaluzian, sesa kitarist.

 

 

 

Ai ishte një pianist gjeni, për më tepër që shumica e veprave janë kompozuar larg vendlindjes, në harkun kohor të shtegtimeve të ndryshme dhe udhëtimeve të herë pas hershme. Historia e jetës së pianistit është po aq befasuese dhe e larmishte, sa edhe muzika e tij, mbushur me ritme dhe nuanca, me ngjyra sa moderne, aq edhe folklorike.

Albeniz, muzika e të cilit kishte arritur në njëfarë mënyre martesën romantike të një Shumani apo Shopeni me Spanjën, me “Iberinë” kapi majat e kompozimit në piano të shekullit të 20-të, ka nga ata që e shohin edhe si pasardhës të Messiaen dhe Stockhausen…

Fëmija i talentuar, por i tmerrshëm, Izak Albeniz lindi më 29 maj 1860, në Camprodon të Katalonjës. Mësimet e para të pianos i mori nga e motra, Klementina, dhe shumë shpejt u shfaqën talentet muzikore të djaloshit. Koncerti i parë daton në moshën 4-vjeçare, në skenën e “Teatro Romea të Barcelonës”, në duet me të motrën. Pas revolucionit 1868, i ati ngeli pa punë. Talenti i Isakut do t’i shërbente ta shndërronte djalin në një Mozart të ri të vogël, një figurë e ekspozuar kudo në koncerte. Në moshën 10-vjeçare Izak përshkon gjithë territorin e Spanjës për të shpalosur talentin e pianistit, veçse djali i vogël nuk është gjithmonë i dëgjuar dhe i bindur. Kur i hipte dëshira t’i shpëtonte autoritetit prindëror, ai nuk ngurronte, i hipte trenit apo anijes dhe e gjenin sakaq ose në Valladolid, ose në Valencia, disa vite më vonë edhe në Amerikën Latine.

Personaliteti i Isakut qëndron kryesisht tek ndjesia e ëndërrimtarit. Ai ishte plot gaz. I hirshëm. Madje, kur tregonte kujtimet e veta, muzikantit i pëlqente t’i shërbente ato me një ndjesi spektakolare… Albenizit i pëlqente të rrëfente se si fëmijë, ai i jepte koncertet me sy të lidhur, ose i ulur me shpinë nga pianoja.  Bëri udhëtime të pafundme, së pari hulumtoi Spanjën mëmë, mandej nga Vendet Baske në Andaluzi, vetëm ose me të atin, më pas aventurat e çojnë përtej Atlantikut: Argjentinë, Brazil, Uruguai, madje deri në Shtetet e Bashkuara.

 

 

 

Në ditët e sotme Albeniz konsiderohet si një prej kompozitorëve më të rëndësishëm spanjollë. Jetoi edhe në Bruksel dhe Leipzig, dy qytete ku studioi, më pas në Londër dhe Paris, ku gëzonte një reputacion të madh. Në Paris lidhi miqësi me Klod Debysi, Pol Dukas, Vënso d’Indi dhe Gabriel Fore, periudhë kur kompozoi një nga kryeveprat e tij “Iberia”, një përzierje e përsosur midis impresionizmit francez dhe folklorit andaluzian.

Nuk e duroi dot akademizmin e shkollave muzikore, qoftë “Real Conservatorio Superior” të Madridit, ashtu edhe prestigjiozen “Hochschule für Musik” të Leipzigut. Megjithëse, aftësia e përqëndrimit dhe e punës nuk është më pak mbresëlënëse. Dhjetë vitet e fundit të jetës, edhe pse i sëmurë dhe i dobësuar, vijoi të shkruante, aq shumë sa botuesi i kërkonte të ngadalësonte ritmin e furishëm të prodhimit.

Vdekja e parakohshme e kompozitorit ndodhi pak para se të mbushte 49-vjeç, më 18 maj 1909, në Combo-les-Bains.

Me përjashtim të disa operetave, veprave vokale dhe disa pjesëve për orkestër, Izak Albeniz kompozon kryesisht për piano. Krijimtaria e tij është e madhe, e shkruar dhe e improvizuar.

Isha gati t’i grisja dorëshkrimet e fletores së katërt të “Iberia”: vajzat m’i morën nga duart në çastin që do t’i hidhja në zjarrin e oxhakut. E kuptova, por shumë vonë kompozova një vepër, vështirësia e të cilës e tremb shumicën e interpretuesve”, – do të shprehej Albeniz./Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe