MENU
klinika

Kur hyn në fuqi ligji?

Kosova ndjek Shqipërinë, mbyll lojërat e fatit

03.05.2019 - 21:37

Në javën e fundit të muajit mars të këtij viti, Qeveria e Kosovës mori vendim që t’u vërë drynin të gjitha lokaleve ku ushtrohej veprimtaria e lojërave të fatit, respektivisht basteve sportive dhe kazinove.

Pasi u iniciua nga Qeveria e Kosovës dhe mori votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, shfuqizimi i ligjit për lojërat e fatit tashmë ky ligj ka nisur të jetësohet. E nga ky vendim mbi katër mijë punëtorë që kanë qenë të angazhuar në këtë biznes, do të mbesin pa punë. Administrata Tatimore e Kosovës ka treguar se me 10 maj hyn në fuqi Ligji për Ndalimin e Lojërave të Fatit.

“Ky revokim i licencave hynë në fuqi nga me 10 maj dhe çdo ushtrim i aktivitetit të lojërave të fatit pas kësaj date do të konsiderohet aktivitet i kundërligjshëm, kështu që institucionet e zbatimit të ligjit sipas nevojës do të veprojnë sipas detyrës zyrtare”.

Administrata Tatimore e Kosovës i inkurajon të gjitha subjektet ekonomike dhe qytetaret, që të ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura në respektim të dispozitave të Ligjit të ri Nr. 06/L-155, për Ndalimin e Lojërave të Fatit, pa pasur nevojë që të bëhen subjekt i masave të institucioneve të shtetit që janë përgjegjëse për zbatimin e ligjit.

lojerat-e-fatit-konica.al
lojerat-e-fatit-konica.al

Me 28 mars, Kuvendi i Kosovës ka votuar shfuqizimin e Ligjit për lojërat e fatit.

Ditë më parë, prokuroria ua ka ngrirë llogaritë bankare për tri ditë (72 orë) pronarëve të bizneseve të lojërave të fatit.

Numri i bizneseve të cilat ushtrojnë veprimtarinë e lojërave të fatit është i madh. Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për ndalimin e këtyre lojërave, në Kosovë do të mbyllen 306 njësi të lokaleve të bastit, 133 lokale me Automate dhe 6 lokale me veprimtarinë Bingo.

Megjithëkëtë, këto biznese shtetit të Kosovës për çdo vit i kanë sjellë mbi 16 milionë euro të hyra.

“Sa i përket Doganës nga mbledhja e akcizës në lojëra të fatit janë grumbulluar mbi 16 milionë euro”, kanë treguar në Doganën e Kosovës.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, brenda vitit që lamë pas (2018) në vend kanë hyrë 250 aparate për lojërat e fatit. Kryesisht këto aparate janë prodhime evropiane.

“Brenda vitit janë importuar rreth 250 aparate për lojëra fati. Kryesisht janë prodhime evropiane”.

Kujtojmë se kazinotë dhe qendrat e basteve sportive u mbyllën pasi ndodhën dy vrasje në lokalet ku ushtrohej veprimtaria e lojërave të fatit. Një vrasje ndodhi në Suharekë dhe një tjetër në qytetin e Lipjanit.

Vrasje këto që tronditën gjithë vendin, ndërsa pas vendimeve nga institucionet njësitet e Policisë së Kosovës së bashku me inspektorë tatimor e doganierë morën menjëherë aksion që t’i bastisin bizneset e lojërave të fatit.

E tërë situata për mbylljen e lojërave të fatit dhe shfuqizimin e Ligjit i cili ua lejon atyre veprimtarinë në vend, ka ardhur pas dy vrasjeve që janë bërë gjatë muajit mars pikërisht në lokale të lojërave të fatit.

Jetmir Aliaj, 32 vjeç, u qëllua për vdekje të dielën e 17 marsit në një lokal të lojërave të fatit në Suharekë. Tri ditë më vonë, më 20 mars, Florent Ahmetaj, 32 vjeç, u qëllua për vdekje me armë zjarri brenda një kazinoje në Lipjan.

19 biznese janë nga Shqipëria

Pas mbylljes së Lojërave të fatit në Shqipëri nga 1 janari i këtij viti, një pjesë e tyre u zhvendosën drejt Kosovës, ndërsa të tjera kishin pasur aktivitet dhe më parë.

Vitin e kaluar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve janë regjistruar 21 biznese të reja, e në këtë vit janë regjistruar vetëm 7, kurse në 2016 janë regjistruar 17. Ndërsa më së shumti biznese të lojërave të fatit janë regjistruar në vitin 2011, gjithsejtë 58 të tilla.

Sipas të dhënave të zyrës së Informim të MTI-së, keq nuk qëndrojnë as pronarët nga Shqipëria, të cilët posedojnë këso biznese në Kosovë. Janë 19 biznese të regjistruar me pronarë nga Shqipëria në Kosovë. Prej tyre 2 biznese me pronarë nga Shqipëria janë regjistruar sivjet, ndërsa vitin e kaluar 4.

Në Kosovë aktualisht janë lokale bastesh e me 1.463 automate bixhozi./ Monitor