Në lidhje me operacionin policor të zhvilluar sot në Veri të Kosovës ka reaguar edhe Bashkimi Europian.
BE ka bërë thirrje për përmbajtje drejtuar Prishtinës dhe Beogradit.
Maja Kocijanciç, zëdhënëse në BE-së, në një reagim për media, ka thënë se “sigurimi i sundimit të ligjit, përfshirë edhe presupozimin e pafajësisë, është një objektivë që BE-ja fuqishëm e mbështetë”.
“Operacionet e policisë duhet të sjellin besim në sundimin e ligjit për të gjitha komunitetet. Operacionet e tilla duhet të riforcojnë e jo të dobësojnë përpjekjet për normalizim”, ka thënë ajo.
Në reagimin e BE-së thuhet se “fuqishëm besojnë se më shumë bashkëpunim policor dhe gjyqësor është i nevojshëm për të gjithë aktorët duke respektuar në tërësi marrëveshjen e Brukselit”.
“Operacioni policor në Mitrovicë i drejtuar ndaj të dyshuarve individualë nga i tërë rajoni dhe nga pjesët tjera të Kosovës, duke ndjekur urdhrat e Gjykatës, duhet të zbatohet në përputhje me ligjin dhe të komunikohet në mënyrë të duhur. Ne jemi në kontakt me lidershipin në Prishtinë dhe Beograd dhe kemi bërë thirrje për përmbajtje maksimale” , thuhet në reagim.
Ditën e sotme në veri të Kosovës u zhvillua një operacion, ku u arrestuan disa persona mes tyre edhe zyrtarë të policisë si të përfshirë në krimin e organizuar dhe kontrabandë. Gjatë operacionit u plagosën edhe efektivë policie.