Partizani u rikthye te fitorja duke mposhtur bindshëm Flamurtarin në Vlorë.
‘Demat’ mposhtën 0-3 Vlonjatët në transfertë dhe tituli kampion tashmë është thjesht çështje kohe.
Pavarësisht mungesave të shumta, skuadra e Gegës ishte e vendosur mirë në fushë dhe bëri një ndeshje mjaft të mirë.
Sfida u zhbllokua nga Jasir Asani, ndërsa në pjesën e dytë Mensah dhe Çinari vulosën fitoren.
Me këtë fitore, skuadra e Partizanit ruan diferencën prej 10 pikësh me Kukësin ndjekës dhe tashmë është vetëm dy pikë larg titullit kampion, të cilin mund ta festojë fundjavën e ardhshme në derbin ndaj Tiranës.
Kjo e fundit ndërkohë mori një fitore të vështirë, por me mjaft vlera në stadiumin “Selman Stërmasi” ndaj Skënderbeut.
Bardheblutë triumfuan me rezultatin minimal 1-0, me një gol të shënuar nga fantazisti shkodran Edon Hasani në minutën e parë shtesë duke shkuar në 5 pikë diferencë nga Kastrioti i vendit të parafundit.
Krutanët arritën të marrin vetëm një pikë në transfertën kurbinase ndaj Laçit, ku kaluan të parët në avantazh, me golin e shënuar nga Taulant Marku në minutën e 82-të të takimit, por vendasit barazuan në minutën e tretë shtesë, me anë të Regi Lushkjas.