Kundërshtoni shumë, binduni pak,
Se bindja e verbër të shpie në skllavëri të plotë.
Prej skllavërisë së plotë asnjë popull i botës
Nuk e fitoi dot përsëri lirinë.
Më 31 maj lindi një nga poetët më të rëndësishëm në historinë e letërsisë amerikane, Walt Whitman, i cili i këndoi lirisë, i këndoi vendlindjes së tij, Amerikës. I ati punonte në punëra të ndryshme, kurse e ëma Louisa Van Velsor, kishte një marrëdhënie të veçantë me djalin, gjë e cila dallohet edhe nga korrespondenca intensive që ata kishin mes tyre. Whitman kujtohet si poeti i lirisë, i vizionit ideal që e vendos njeriun në qendër. Ai i këndoi mbi të gjitha esencës së “ëndrrës amerikane”, asaj ëndrre amerikane që ngulmonte të kapte standard më të mirë jetese mbështetur te prosperiteti ekonomik nëpërmjet punës së madhe, guximit dhe vendosmërisë. Whitman kujtohet veçanërisht për përmbledhjen me poezi “Fije bari”, botuar në dhjetëra edicione. Poeti botëror i Amerikës, pasuesi i ditëve të mëvonshme të Homerit, Virgjilit, Dantes dhe Shekspirit, në përmbledhjen “Fije bari” i thur lavde demokracisë, natyrës, dashurisë dhe miqësisë. Në këtë punë monumentale, ai i këndonte himne si trupit, ashtu dhe shpirtit, madje bukurinë dhe qetësimin e gjente edhe tek vdekja. Së bashku me Emili Dikinson, Whitman konsiderohet si një nga poetët më të rëndësishëm të Amerikës në shekullin e 19-të dhe do të ndikonte më vonë tek poetë të shumtë, përfshirë Ezra Paund, Uilliam Karlos Uilliams, Alen Ginsberg, Simon Ortiz, C.K. Williams, si dhe Martin Espada.
Kur Whitman publikoi recensionin entuziast “Fije bari”, si kritikët dhe lexuesit u treguan njëlloj. Megjithatë, tek stili dhe subjekti i Whitman gjetë nota demoralizuese. Sipas “Anthology of Poetry Longman”, poezia e Whitman nuk është vlerësuar sa duhet nga publiku në të gjallë të tij për disa arsye. Së pari, largpamësia në lidhje me seksin, prezantimi si njeri i përafërt dhe novacionet e tij stilistike, po ashtu për faktin se poeti braktisi modelin e rregullt të formës dhe rimës të bashkëkohësve të tij, Whitman ishte i ndikuar nga kadencat e gjata dhe strategjitë retorike të poezisë biblike etj. Madje, pas publikimit të “Fije bari”, ai u shkarkua nga pozicioni në Departamentin e Brendshëm. Pavarësisht pritjes së dyzuar kritike në SHBA, ai u prit pozitivisht në Angli.
Jo rastësisht, për vite të tëra vepra e Walt Whitman është konsideruar si Bibla e demokracisë amerikane, shpirti i shpresës, simboli forcës që lind nga mundi dhe nga puna, nga nevoja e dëshirimit të jetës. Në poezinë e tij, individi shndërrohet në komb. Nevoja e këtij shpirti për të kënduar, jetësoi shprehinë demokratike të miliona amerikanëve dhe jo vetëm. Me një gjuhë të përzier e krejtësisht personale, poeti në lirikat e tij kompozon një himn të pasionuar të mundësive ideale të individit dhe të botës, duke lartësuar me fllad lirizmi natyrën njerëzore dhe mrekullinë e realitetit të përditshëm. Përmbledhja me poezi “Fije bari”, do futej në fondin e artë të letërsisë botërore, si themeli i poezisë moderne. Me gjuhën e tij shkrimtari duket sikur donte të krijonte një gjuhë amerikane më të epshme se sa anglishtja. Gjuha e Shekspirit i dukej e vrazhdë. Një gjuhë të re për një Amerikë ende të egër, duke dhënë një mesazh të mençurisë
“Fije bari” është libri unik, puna e madhe e mishit dhe e gjakut të jetës. Një poemë e gjallë, organike, e dhunshme në kundërshtim me normat poetike dhe frymën e kohës. Walt Whitman shfaqet si çlirimtari i madh i gjuhës, poeti i parë modern i Amerikës që u krijua para syve të tij. Poet pionier, poet gazetar, Whitman këndon me zë të lartë, ndonjëherë me njëlloj pafajësie, ëndrrën amerikane, duke synuar të shkruajë Biblën e madhe demokratike të Botës së Re. Përtej imazhit të ëndërruar të një njeriu që donte të ishte një profet dhe i cili mori pozicionin për brezat e ardhshëm, realiteti njerëzor dhe politik duket më pak monolit, më kompleks me të metat dhe paqartësitë e tij. Whitman vdiq në Cadmen më 26 mars 1892./Konica.al
O Kapiten! Kapiteni im!
(Kushtuar presidentit Abraham Linkoln)
O kapiten! Kapiteni im! Udhëtimi ynë i ankthshëm sosi,
Anija ka përballur çdo vorbull, çmimi që kërkuam u fitua,
Limani është afër, i dëgjoj kambanat, populli i tërë brohoret.
Teksa vështron lundrimin e sigurt, anijen e zymtë dhe të guximshme;
Por o zemër! zemër! zemër!
O pika të kuqe gjaku,
Në kuvertë Kapiteni im shtrihet,
Akull i ftohtë dhe i vdekur.
O Kapiten! Kapiteni im! çohu dhe dëgjoji kambanat;
Çohu – për ty flamuri po valvitet! Për ty boria ushton,
Për ty janë buqetat dhe kurorat palë-palë, për ty bregdetet me turma,
Për ty ata thërrasin, në turmë valvitëse, me fytyrat e tyre të etura drejt teje;
Nga udhëtimi plot ankth anija fitimtare vjen me qëllimin e arritur;
Këtu Kapiten! Baba i dashur!
Kjo dora ime ku ti të mbështetësh kokën!
Në ëndërrën tënde mbi kuvertë,
Je shtrirë akull i ftohtë dhe i vdekur.
Kapiteni im nuk përgjigjet, buzët e tij janë të zbehta dhe pa fjalë,
Babai im nuk e ndjen dorën time, ai s’ka as puls dhe as frymë,
Anija është ankoruar shëndosh e mirë, udhëtimi ia doli mrekullisht mbanë
Nga udhëtimi plot ankth anija fitimtare vjen me qëllimin e arritur;
Brohoritni o brigje, dhe bini ju kambana!
Por unë me hap të përzishëm,
Eci në kuvertën ku Kapiteni im shtrihet,
Akull i ftohtë dhe i vdekur.