Një 33-vjeçar nga Shkodra është arrestuar sot pas një operacioni të zhvilluar nga RENEA, FNSH dhe Shqiponjat tek Komuna e Parisit.
I arrestuari është Barush Bregu, i cili është shpallur në kërkim për disa akuza të rënda.
Ai ishte i dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike e kryer në bashkëpunim në 2016.
Arrestimi i tij erdhi pas një kontrolli të imtësishëm në banesën ku qëndronte me qera.
Bregu është i skeduar edhe si pjesë e një grupi kriminal në Shkodër dhe është i dyshuar si autor i disa ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura në këtë qark.
Njoftimi i plotë i policisë:
Operacion për kapjen e personave në kërkim, me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Finalizohet me sukses operacioni policor “Kompleksi”
Kapet dhe arrestohet një pjestar i një grupi kriminal.
Arrestohet edhe një shtetas tjetër për përkrahje të autorit të krimit
Operacioni nga Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me Renean, FNSH e forcat Shqiponja të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Operacioni u zhvillua në lagjen “Komuna e Parisit”, Tiranë, ku në një banesë të marrë me qera u kap dhe u arrestua shtetasi i shpallur në kërkim:
Barush Bregu , 33 vjeç, lindur në Shkodër.
Ky shtetas është i dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim, në vitin 2016, si dhe me masë sigurie “Arrest në burg”, për armëmbajtje pa leje , pasi në shtator të vitit 2018, gjatë një operacioni të zhvilluar nga Policia, në banesën e këtij shtetasi u gjet një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.
Gjithashtu ky shtetas është i skeduar si pjesëtar i një grupi kriminal dhe është i dyshuar edhe si autor për ngjarje të tjera të rënda kriminale të ndodhura në qarkun Shkodër më parë, si dhe autor i dyshuar për “Trafikim të lëndëve narkotike”.
Po gjatë operacionit u arrestua ne flagrance dhe shtetasi B. Ç. 21 vjeç, banues në Shkodër për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme, për veprat penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”