Sot është dita e fundit e afatit që presidenti serb, Aleksandar Vuçiç i kishte lënë Kosovës për heqjen e taksës.
Vuçiç ka paralajmëruar se nëse taksa ndaj mallrave serbe dhe boshnjake nuk hiqet, atëherë do të ketë masa të ashpra ndaj vendit.
Në një prononcim për mediat në Kosovës, ministri i Tregtisë, Endrit Shala ka bërë me dije se taksa nuk hiqet pavarësisht kërcënimeve.
“Arsyet se pse e kemi vendosur taksën kanë qenë pikërisht pengesat që Serbia e Bosnjë e Hercegovina ia kanë shkaktuar ekonomisë kosovare.
Për këtë ne kemi vendosur taksën dhe ajo duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi derisa të eliminohen arsyet, të cilat e kanë shtyrë Qeverinë e Kosovës të marrë një masë të tillë, edhe arsyet ekonomiko-politike”, ka thënë Shala për “Zërin” në Kosovë.