MENU
klinika

Takim me pedagogë

Basha: Arsimi i lartë në krizën më të rëndë në 29 vite

04.05.2019 - 18:17

Kryedemokrati Basha po zhvillon një takim me pedagogë dhe përfaqësues të arsimit të lartë.

Gjatë fjalës së tij në këtë tryezë, Basha tha se universitetet në vend janë në krizën më të thellë në këto 29 vite.

Jemi këtu pas disa muajsh që kanë kulmuar krizën e thellë të institucioneve të arsimit të lartë. E tillë ishte edhe lëvizja studentore e dhjetorit të kaluar.

Aspekti i parë i kësaj krize duket qartë te financimi. Buxheti ka arritur në vitin 2019 në 3.29 për qind e PBB-së, në një kohë kur niveli minimal për të garantuar standardet rajonale, duhet të jetë jo më pak se 5 për qind.

Këto para shkojnë në pjesën më të madhe për rikonstruksionin e Ministrisë së Arsimit, për një fasadë me të vërtetë llamburitëse.

Ndërkohë, rënia në pikiatë e financimit për arsimin e lartë shoqërohet edhe nga braktisja e studimeve. 133 mijë nxënës e studentë kanë braktisur shkollën në këto 4 vite”, tha Basha.

Basha tha më tej se qasja europiano-bashkëkohore do të jetë pikërisht ajo që do të bëjë që arsimi shqiptar të udhëhiqet nga një koncept i ri menaxhimi, në financa, teknologji etj.

Revolucioni i inteligjencës artificiale, i robotikës, i materialeve të ndryshme në industri ka ardhur dhe është bërë real.

Një vend në zemër të Europës nuk e ka luksin ta humbasë këtë mundësi të jashtëzakonshme.

Kemi një mundësi të lëmë prapa 5 vite stanjacion dhe prapambetje në vendin tonë. Është njësoj si mundësia që shfrytëzuam pas futjes së teknologjisë së celularëve.

Nevojat e një tregu gjigant europian, me lokomotivë ekonominë gjermane, janë shembuj për t’u ndjekur për të hapur më shumë vende pune, e për më tepër të ndërlidhur në tregun europian të punës”, u shpreh ai.

Ky vullnet politik, që sot ka formën e një programi të detajuar të Partisë Demokratike, nesër duhet të përkthehet në buxhet, i cili të administrohet në mënyrë të tillë që të mos kthehet në rikonstruksione zyrash luksoze apo blerje automjetesh, por aty ku ka nevojë arsimi i lartë”, tha kreu i PD-së.