Pas deklaratave fyese të kryeministres serbe për shqiptarët ka ardhur edhe reagimi i Bashkimit Europian.
BE i ka cilësuar deklaratat e Brnabiç si retorika fyese, konfrontuese dhe ndarëse kundër rrymës së bashkëpunimit dhe pajtimit që i duhet rajonit për të ecur përpara.
Maja Kocijançiç, zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Federica Mogherini, ka thënë se; “ngjarjet e ditëve të fundit kanë treguar qartë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, duhet të rezultojë me një marrëveshje të qëndrueshme dhe afatgjatë për normalizim të marrëdhënieve” dhe se status-quoja nuk është mundësi”.
Kujtojmë që Kosova e Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e BE-së në vitin 2011.
Procesi i bisedimeve aktualisht ka ngecur, për shkak të, siç është thënë, taksës prej 100% që Qeveria e Kosovës u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia.