Qarqet e Vlorës dhe të Lezhës kanë numrin më të madh të të papunëve në shkallë vendi.
Një analizë mbi baza rajonale e Institutit të Statistikave tregon që në vitin 2018, qarqet me shkallë punësimi më të lartë për popullsinë 15-64 vjeç janë: Elbasani (61,5 %) dhe Korça (59,5 %). Ndërsa qarku me shkallë punësimi më të ulët eshte qarku Lezhë (45,6 %).
Qarqet me shkallë papunësie më të lartë janë Qarku i Vlorës me 21,9 % dhe ai i Lezhës me 19,2 %. Në vitin 2018, në qarkun e Tiranës, punësimi në bujqësi zë një përqindje shumë të vogël të punësimit gjithsej (7 %).
Pjesa më e madhe e të punësuarve janë të angazhuar në sektorin e shërbimeve (66 %) dhe një peshë të konsiderueshme zë edhe industria (27 %).
Gjatë vitit 2018, rreth 26,6% e kontribuesve në kategorinë e të punësuave me pagë marrin një pagë mesatare mujore bruto deri në nivelin e pagës minimale zyrtare. Për vitin 2018, paga minimale zyrtare është 24.000 lekë.
Në vitin 2018, grup-profesionet më të paguara janë: Ligjvënësit, nëpunësit e lartë të administratës shtetërore dhe drejtorët ekzekutivë; Specialistët me arsim të lartë (profesionistë); dhe Teknikët dhe specialistët në zbatim.
Ndërsa grup-profesionet me pagë nën nivelin mesatar janë: Punonjës të kualifikuar të bujqësisë pyjeve dhe peshkimit; punëtorët e profesioneve elemtare; dhe zejtarët, artizanët dhe profesione të lidhura me to.
Shkalla zyrtare e papunësisë, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 12,3 % dhe shënon një ulje me 1,4 pikë përqindje krahasuar me vitin 2017.
Për meshkujt, shkalla e papunësisë është 0,8 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat. Shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-24 vjeç është 28,3 % (29,6 % për meshkujt dhe 26,0 % për femrat).
Krahasuar me vitin pararendës, shkalla e papunësisë së të rinjve ka rënë me 3,6 pikë përqindje.
Në vitin 2018, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk janë duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbëjnë 28,6 % të të rinjve gjithsej.