MENU

Në kundërshti me ligjin

AKU gjobit tre subjekte me më shumë se 4 milionë lekë

19.06.2019 - 18:09

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka gjobitur një subjekt me aktivitet “Njësi e prodhimit dhe përpunimit të produktit akullore”, në kryeqytet në te cilin u konstatua se ushtronte aktivitet në kundërshtim me ligjin duke qenë se nuk dispononte licencën përkatëse në fushën e ushqimit.

Sipas njoftimit, për shkeljen e konstatuar ndaj subjektit u mor masa e gjobës në vlerë 2,000,000 lekë.

Nga kontrollet e tjera AKU tha se në një subjekt me aktivitet “bar-restorant-piceri”, nё Golem (Kavajë), u konstatuan një sërë produktesh me mangësi në dokumentacionin shoqërues (gjizë, mish, vezë) dhe tё tjera me afat përdorimi tё kaluar (Biskota, llokume, crackers etj).

AKU tha se gjatë kontrollit të dokumentacionit rezultoi se subjekti nuk dispononte planin e vetëkontrollit (HACCP), mungonin faturat e blerjes sё produkteve që tregtonte, mungonin certifikatat veterinare apo raport analizat përkatëse për produktet me origjine shtazore.

Sipas njoftimit, për subjektin në fjalë u mor masa e gjobës në vlerë 300,000 lekë për hedhjen në treg të ushqimeve të pasigurta, gjobë 100,000 lekë për mungesë të planit të vetëkontrolli (HACCP), gjobë 100,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë dhe gjobë 50,000 lekë për etiketim në kundërshtim me ligjin.

AKU bllokoi produktet, me qëllim asgjësimin e tyre ose kthimin tek distributori.

AKU ushtroi kontroll edhe në një subjekt në Tiranë me aktivitet “Njësi e prodhimit tё bukёs dhe ёmbёlsirave”, ku u konstatuan një sërë produktesh me afat të kaluar përdorimi, pije freskuese, çokollata etj .

Sipas njoftimit, gjatë kontrollit të dokumentacionit u konstatua se subjekti ushtronte aktivitetin në kundërshtim me ligjin pasi nuk dispononte licencë në fushën e ushqimit, për ushtrimin e aktivitetit (prodhim i bukës dhe ёmbёlsirave).

Subjekti në fjalë u gjobit në vlerë 1,500,000 lekë për ushtrim të aktivitetit pa licencën përkatëse, gjobë 500,000 lekë për hedhjen në treg të mallrave të pasigurta për konsum si dhe u bllokuan produktet me afat të kaluar përdorimi me qëllim asgjësimin e tyre