MENU
klinika

U shkarkua nga Vetting-u

“Anulova lirimin e Astrit Avdylaj”, flet ish-kreu i Apelit Shkodër

13.06.2019 - 12:25

Pas shkarkimit të pak ditëve më parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka ardhur reagimi i ish-kreut të Apelit në Shkodër, Fuat Vjerdha.

Sipas tij vendimi për shkarkimin është i padrejtë dhe thekson se që në fillim ka qenë mbështetësi i reformës në Drejtësi.

Një nga çështjet që çoi në shkarkimin e gjyqtarit ishte një çështje që ka të bëjë me të dënuarin Sokol Mjacaj, i akuzuar për vrasjen e dy turistëve çekë.

Para se të kryente këtë krim, Mjacaj ishte akuzuar për një tjetër vepër penale. Gjykata e Apelit Shkodër i ka ndryshuar dënimin këtij shtetasi nga 10 në 4 vjet heqje lirie. Pak kohë pas daljes nga burgu, i riu vrau dy turistët çekë për t’i grabitur.

Gjyqtari Vjerdha thotë se gjykimi i këtij rasti ka qenë një nga çështjet model, pasi Apeli kishte krijuar bindjen se nuk e kishte vrarë ai një 13 vjeçar.

“Ka qenë Gjykata e Lartë ajo qe ka dhënë vendimin për të duke krijuar bindjen se Mjacaj nuk është autori i vrasjes se 13 vjeçarit. Shkarkimi im është në shkelje të ligjit dhe nuk bëhet me të tilla vendime reforma në drejtësi”, thotë gjyqtari Vjerdha.

Gjyqtari thotë se është i pastër në vendimet e tij, duke shtuar se ka qenë një ndër anëtarët e gjykatës që ka anuluar vendimin për lirimin e Astrit Avdylajt, i konsideruar si kreu i grupit kriminal të Shijakut i përfshirë në trafikun e drogës dhe që nga përgjimet e publikuara nga Bild rezulton si përfshirë në blerjen e votave në bashkëpunim me Vangjush Dakon.