“Vizita e inspektorit”, drama me autor John Priesley, vjen premierë nga regjisori i njohur, Altin Basha. Me një kast aktorësh të njohur, Basha këto ditë po prezanton premierën, në skenën e “arTurbina”.
Rolet e veprës interpretohen nga gjashtë aktorë. Në personazhet kryesore të veprës, kemi dy aktorët Rajmonda Bulkun dhe Petrit Malajn. Për të vijuar dhe me të tjerë në role, aktorët: Besmir Bitraku, Florian Agalliu, Xhulia Musagalliu dhe Ismail Shino.
Lidhur me punën për këtë vepër teatrore, regjisori flet dhe për bashkëpunimin me aktorët. Ai shprehet se, me dramën “Vizita e inspektorit”, ka angazhuar jo vetëm aktorë të njohur të teatrit, por dhe studentë të tij. “Dy personazhet kryesore luhen nga aktorët Rajmonda Bulku dhe Petrit Malaj, që janë dy aktorë karriere të njohur. Petriti kishte kohë që nuk ishte në teatër dhe ai përshtatet me personazhin, që është edhe kryesori në shfaqje, por dhe Rajmonda Bulku, gjithashtu. Ndërsa, katër të tjerët në role janë studentë dhe ish-studentët e mi”, – thotë Basha.
Skena dhe kostumet janë përgatitur nga Iliriana Loxha Basha, muzika nga Endri Sina, si dhe asistentregjisor është Besmir Bitraku. Vepra teatrore, që sonte është në natën e dytë në “arTurbina”, do të rikthehet sërish në këtë skenë sezonin e ri artistik, i cili do të nisë në vjeshtë, por për të zhvilluar një turne me këtë shfaqje, Basha shprehet se ka kosto të larta.