MENU
klinika

Përplasjet

Berat/ Bashkia kërkon lirimin e ambienteve të KZAZ-së

18.06.2019 - 15:48

Kryetari i Bashkisë Berat Petrit Sinaj i ka dërguar një letër KZAZ-së në këtë qytet që të lirohen ambientet e zëna prej saj në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani”, në të kundërt, bashkia do të ndërhyjë për të zbatuar dekretin e presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Në bazë të dekretit të presidentit për ç’dekretimin e datës zgjedhjeve në 30 Qershori, dekret që ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare të Presidencës, Bashkia e Beratit ka kërkuar që të lirohen të gjitha ambientet dhe të hiqen listat e shpallura të zgjedhësve në KZAZ-në Nr.64.

Ka qenë kreu i Bashkisë së Beratit Petrit Sinaj, ai i cili ka drejtuar një letër zyrtare KZAZ-së Nr.64. Përmes kësaj letre drejtuar KZAZ nr.64, Bashkia e Beratit kërkon lirimin vullnetarisht të ambienteve të Pallatit të Kulturës “Margarita Tutulani”.

Gjithashtu, Bashkia Berat i ka kërkuar KZAZ-së edhe heqjen e afishimit të listave të zgjedhësve pranë këtij Komisioni Zonal për Administrimin e Zgjedhjeve.

kolana e librave

Në një deklaratë për mediat, kryebashkiaku i Beratit Petrit Sinaj ka pohuar se janë ditët e fundit të afishimit të listave të zgjedhësve në të gjitha QV-të në Berat sepse listat do të hiqen, pasi edhe qeveria shqiptare do ta kuptojë që në këtë rrugë pa krye që do ta fusë popullin shqiptar nuk mund të vazhdohet.

Kryebashkiaku i Beratit,Petrit Sinaj,ka deklaruar se nuk mund të ketë zgjedhje vetëm me një parti politike sepse populli ka nevojë për qetësi.

Sinaj beson se qeveria do të reflektojë sa me shpejt që të jetë e mundur pasi në të kundërt-ka thënë Sinaj-bashkia do të ndërhyjë për të liruar të gjitha ambjentet që janë në pronësi të saj.

Menjëherë pas dërgimit të shkresës zyrtare të bashkisë në KZAZ Nr.64 në Berat, kjo KZAZ po ruhet tashmë me forca policie, të cilët nuk lejojnë të afrohet e të hyjë askush brenda ambjenteve të kësaj KZAZ-je, përveç anëtarëve të saj.