“Portret” i vitit 1927 – piktura e rrallë me autor Kolë Idromenon, do të ekspozohet për herë të parë për publikun, më 27 qershor në ekspozitën retrospektive, pranë Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Megjithëse daton rreth një shekull më parë, portreti përcjell ndjeshmërinë dhe emocionin që shpreh fytyra fëminore e këtij djaloshi.
Vepra gjendet në fondin artistik të Galerisë Kombëtare të Arteve, që ka bërë më dije se kjo ekspozitë do të prezantojë pikturat më të rëndësishme të autorit. Krahas pikturave me vlerë, ekspozita do ta surprizojë publikun artdashës, me një përzgjedhje fotografish nga Idromeno, realizuar në studion e tij dhe në qytetin e Shkodrës.
“Portret”, që i përket vitit 1927, përcjell fytyrën plot jetë të djaloshi që mban në duart e kryqëzuara një libër, është një nga dhjetëra tablotë që na risjellin në kujtesë një emër të rrallë të pikturës shqiptare, Kol Idromeon.
Ekspozita që do të çelet më 27 qershor, do të jetë shfaqja e veprat të njohura të piktorit, si: “Motra Tone”, realizuar në vitin 1883, kur piktori ishte vetëm 23 vjeç. Portreti i Tones, veçanërisht sytë, i japin veprës një ekspresivitet tejet të veçantë. Kjo vepër e Idromenos së ri, është vlerësuar si portreti realist më i bukur, në artin shqiptar të shekullit XX, njëkohësisht edhe një nga kryeveprat e artit realist shqiptar.
Sipas studiuesve, “Motra Tone” ishte hapi i pari një epokë të re në historinë e artit shqiptar: fillimin e artit laik realist shqiptar. Piktori Idromeno përdori në tablotë e tij një penelatë uniformë koloristike, pa shumë kontraste, duke shpërndarë në tablo, një dritë të qetë. Ai konsiderohet si piktori më i rëndësishëm i pikturës realiste shqiptare, të gjysmës së parë të shekullit XX.
Në Fondin e Artë të Galerisë Kombëtare gjenden edhe të tjera piktura të Idromenos, si: “Pamje nga Ulqini”, një nga më të vjetrat e autorit, realizuar aty nga viti (1897 – 1898), “Portreti i bashkëshortes”, “Portreti i mbesës – Orselina” etj, vepra këto që do të jenë pjesë e ekspozitës. Krahas pikturës, nuk do të mungojnë as vizatimet dhe akuarelet e para të Idromenos, që u përkasin viteve 1871-1874.
***
Kol Idromeno, piktori dhe njeriu
Kolë Idromeno, është me origjinë nga Parga e Çamërisë, i biri i Arseni dhe i Roza Saraçit. Arseni dhe Roza kishin vetëm dy gëmijë: Kolën dhe Tonia Idromeno. Në vitin 1856, Kol Idromeno u vendos me banim në Shkodër. Kur u kthye në Shkodër, mori pjesë në lëvizjen antiosmane për pavarësinë e Shqipërisë, duke qenë në rrethin e intelektualëve të kohës (poetë e shkrimtarë).
Nga Pjetër Marubi, i pari mësues i Idromenos, ai mori mësime si piktor, si arkitekt dhe fotograf. Në vitin 1875 Idromeno shkoi të studionet për gjashtë muaj në Akademinë e Arteve në Venecie, por pas shkëputjes prej saj, nuk u largua nga qyteti dhe qëndroi si ndihmës në studion e një piktori venecian, për tre vjet.
Idromeno ishte një artist multidimensional. Ishte piktor, muzikant, skenograf. I përfshirë mes krijimtarisë në disa zhanre të artit, veçanërisht pikturës do t’i jepte të gjithë vibrimin e jetës. Ndaj nuk mund të harrohen disa nga tablotë më të njohura për publikun, si: “Portreti i Skënderbeut”, “Dasma shkodrane”, “Plaku i Postribës”, “Oborr shtëpie shkodrane” etj.
Idromeno ishte një figurë interesante dhe komplekse: atij i pëlqente muzika, luante në trompë në bandën muzikore të qytetit, realizonte dekoret e shfaqjeve teatrale dhe ishte për disa vjet, piktori i karnavaleve (1917-1936).
Në vitin 1885 ai hapi studion e tij fotografike në Shkodër “Dritëshkronja e Kolës”, ndërsa më 1912, solli për herë të parë në Shqipëri, aparatin për shfaqje filmash, duke patur marrëveshje me vëllezërit francezë Lumiere. Idromeno ishte edhe urbanist, arkitekt e projektues i mbi 60 ndërtesave publike, sociale dhe vilave (projektuar dhe zbatuar nga Idromeno), ndërmjet tyre mund të përmendim, “Vilën e Shirokës“ (1925–26), “Centrali elektrik“ (1928), ”Banka e Shtetit“ (1930), „Kinemaja Rozafat“(1935), “Kafja e madhe“(1935) etj.