Në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme në Shkodër, ku simpatizantë të opozitës i vunë flakën shkollës ku ndodhej KZAZ me materialet zgjedhore, ka ardhur edhe reagimi i ministres së Arsimit, Besa Shahini.
Përmes një postimi në Facebook, Shahini thekson se dhuna është ushtruar nga PD dhe se sipas saj Partia Demokratike ka paralajmëruar dhunë edhe në shkolla të tjera sot.
Postimi:
“Dita e fundit e mësimit është ditë e gëzueshme për nxënësit, të cilët kanë mbyllur mësimet, përshëndeten me shoqet e shokët dhe fillojnë pushimet.
Por dhuna e ushtruar nga PD dje në shkollat e Shkodrës dhe paralajmërimi për të tjera shkolla sot, na bëri të shtyjmë këtë ditë të dashur për nxënësit në këto shkolla!
Më vjen keq që partitë e pashpresa, në sajë të dëshpërimit të tyre elektoral, po dhunojnë gjithçka që u del përpara! Por me dhunë nuk merret pushteti dhe këtë fakt shpresoj ta kuptojnë sa më parë!”, shkruan Shahini.