MENU
klinika

Nga Banka Botërore

Financim 50 milionë dollarë për 3 rrugë

23.06.2019 - 16:14

Një projekt për ndërlidhjen e rrugëve lokale dhe rajonale, i financiar nga Banka Botërore me 50 milionë dollarë po i jep vëmendje të veçantë tre rrugëve që të çojnë në destinacione të rëndësishme turistike.

Bëhet fjalë për ndërhyrjen në rrugën e Tushemishtit, atë të Semanit në Fier si dhe në Theth.

Në rishikimin e fundit që i ka bërë projektit, Banka Botërore shprehet e kënaqur me ecurinë e procedurave, por nënvizon se është në dorën e qeverisë për të përshpejtuar procesin e punës.

Ky institucion e lidh këtë me procesin e shpronësimeve apo blerjen e disa shiritave të nevojshëm të tokës në zonat ku ndërhyn projekti dhe që do të shërbejnë për zgjerimin e trotuareve dhe koristë e biçikletave.

“Misioni ra dakord me agjencinë zbatuese, Fondin Shqiptar të Zhvillimit për një plan pune lidhur me aktivitetet e prokurimit për të tre rrugët: Tushemishtin në Bashkinë e Pogradecit, Thethin në Bashkinë e Shkodrës dhe rrugën e Semanit në Bashkinë e Fierit.

Në veçanti, plani i punës vendos afate për t’u plotësuar lidhur me prokurimin e punëve civile dhe inxhinierëve të mbikëqyrjes për rrugën e Tushemishtit dhe atë të Thethit deri në prill 2019 dhe për rrugën e Semanit në verën 2019.

Ky plan kërkon përpjekje domethënëse nga ekipi i dedikuar i këtij projekti në Fondin Shqiptar të Zhvillimit përfshirë një koordinator projekti, inxhinier, specialist të prokurimeve dhe të sigurisë. Po kështu nisja e punimeve civile në rrugën e Tushemishtit dhe Semanit do të kërkonte blerjen e disa shiritave të vogla të tokës për të çuar në fund projektin e zgjerimit me trotuare dhe korsinë e biçikletave.

Edhe pse Fondi vlerëson se koha e risistemimit është shtatë muaj e gjysmë, ne kemi besim se qeveria mund ta përshpejtojë këtë proces përmes alokimit të buxhetit të nevojshëm që të kompletojë këtë deri në kohën e nënshkrimit të kontratës së punimeve”, thuhet në dokument.