Qindra mijëra njerëz po marshojnë në Hong Kong për të hequr një ligj të propozuar për ekstradimin që do të lejonte që të dyshuarit të dërgoheshin në Kinë për t’u përballur me gjyqin, thanë organizatorët e marshit, sipas Reuters.
Protestat pritet të jenë më të mëdhatë që nga Lëvizja Umbrella e vitit 2014, e cila pa qindra mijëra të dilnin në rrugë.
Udhëheqësi i Hong Kongut Carrie Lam ka kërkuar që ndryshimet të miratohen para korrikut. Mbështetësit thonë se ekzistojnë masa mbrojtëse për të parandaluar që dikush që përballet me persekutim fetar apo politik të ekstradohet në territorin e Kinës.
Por kritikët e projektligjit thonë se ata në ish-koloninë britanike do të ishin të ekspozuar ndaj sistemit të drejtësisë me të meta të Kinës, dhe kjo do të çonte në erozion të mëtejshëm të pavarësisë gjyqësore të qytetit.
Protestuesit, përfshijnë një gamë të gjerë njerëzish, nga biznesmenët dhe avokatët tek studentët, figurat pro-demokraci dhe grupet fetare.
“Kjo është loja përfundimtare për Hong Kongun, është çështje jete ose vdekjeje. Prandaj unë po vij,” tha Rocky Chang, një profesor 59-vjeçar, për agjencinë e lajmeve Reuters. “Ky është një ligj i keq”.
Ndryshimet do të lejojnë kërkesa për ekstradim nga autoritetet në territorin e Kinës, Tajvan dhe Macau për të dyshuarit e akuzuar për vepra kriminale si vrasja dhe përdhunimi.
Hong Kongu është pjesë e Kinës, por ka sistemin e vet gjyqësor.Zyrtarët e Hong Kong kanë thënë se gjykatat e Hong Kongut do të kenë fjalën përfundimtare nëse do të japin kërkesa të tilla ekstradimi dhe të dyshuarit e akuzuar për krime politike dhe fetare nuk do të ekstradohen.
Ka pasur shumë opozitë publike dhe kritikët thonë se njerëzit do të jenë subjekt i paraburgimit arbitrar, gjyqit të padrejtë dhe torturës nën sistemin gjyqësor të Kinës.