MENU
klinika

Masakra e Tiananmenit

Kinezët përkujtojnë ‘në heshtje’ masakrën e 30 viteve më parë

04.06.2019 - 10:49

Kina ka shënuar 30 vjet që nga goditja vdekjeprurëse ndaj demonstruesve në Pekin me heshtje dhe masa shtesë të sigurisë.

Qeveria ka punuar shumë për të fshehur një prej kapitujve më të errët në historinë e saj, kur Pekini shpërndau tanke dhe trupa për t’i dhënë fund një lëvizjeje mbarëkombëtare që bënte thirrje për reforma demokratike.

Të martën, forcat e sigurisë u vendosën në të gjithë Sheshin Tiananmen në Pekin, ku në mbrëmjen e 3 qershorit deri në mëngjesin e 4 qershorit 1989, qindra njerëz u vranë.

Turmat e turistëve ishin duke pritur për të kaluar përmes sigurisë për të skanuar kartën e identitetit dhe për të kontrolluar çantat. Policia me uniformë patrullonte perimetrin e zonës. Një makinë policore e blinduar ishte vendosur përgjatë një rruge që çonte në shesh. I pyetur për kontrollet shtesë, një oficer policie tha: “Sot është ditë paksa e veçantë.”

Gazetarëve të huaj nuk u lejohet hyrja në shesh. Policët nuk lejojnë gazetarët që të bëjnë fotografi.

Mediat zyrtare të martën nuk e përmendën përvjetorin, por ofruan vetëm artikuj rreth promovimit të liderit kinez Xi Jinping për klasifikimin e plehrave, një fushatë mjedisore dhe thirrjeve për “të kujtuar misionin” e partisë komuniste kineze.

Përpara përvjetorit, vende të tjera kërkuan që Kina të përballet me këtë episod. Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo tha se Kina duhet “të bëjë një kontabilitet të plotë publik për ata që janë vrarë ose që kanë humbur”. Kina i ka quajtur vërejtjet e Pompeo “një fyerje ndaj popullit kinez”.

Shefja e politikës së jashtme të BE Federica Mogherini përsëriti deklaratën e këshillit të BE që nga 1989, duke përshkruar veprimet e qeverisë si një “represion brutal”. Ajo u bëri thirrje autoriteteve që të respektojnë të drejtat ligjore të të ndaluarve në lidhje me protestat e vitit 1989, si dhe ata që janë përpjekur t’i përkujtojnë ata.

Në Hong Kongun fqinj, aktivistët janë në gjendje të përkujtojnë ngjarjen me një vigjilje vjetore të qirinjve, dhe janë rreth 180,000 njerëz.

“E gjithë Kina është e heshtur dhe ne kemi një dritare, ose një altoparlant në Hong Kong, për t’i treguar botës se çfarë ka ndodhur”, tha Chauk-Yan Lee, një ish-ligjvënës i cili ishte në Pekin në kohën e goditjes .

Pavarësisht nga censura, disa qytetarë kinezë kanë gjetur mënyra për të shënuar ditën, duke postuar poezi, imazhe ose këngë. Një përdorues ka postuar një fotografi të vetes që qëndron para portretit të Mao Zedong.

Të tjerë përdorën një ese nga shkrimtari i famshëm kinez, Lu Xun, në vitin 1933, duke kujtuar një grup shkrimtarësh dhe aktivistësh të rinj të cilët janë vrarë nga forcat qeveritare.