MENU
klinika

Zëri i Amerikës

“Marrëdhënia Rama-Meta ka shkuar përtej caqeve institucionale”

27.06.2019 - 11:32

Në Shqipëri presidenti Ilir Meta ka thirrur në takime të veçanta ditën e enjte, kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e opozitës Lulzim Basha “për të biseduar rreth situatës politike në vend”.

Kërkesa e kreut të Shtetit për kryeministrin vjen në një moment acarimi të skajshëm mes tyre, që kulmoi me vendimin e zotit Meta për të anulluar 30 Qershorin si datën e zgjedhjeve vendore, e që u pasua me nisjen nga ana e shumicës të procedurave për shkarkimin e presidentit nga detyra.

Kjo marrëdhënie që ka shkuar përtej caqeve institucionale, vihet re dhe në komunikimin mes palëve, për takimin e së enjtes të thirrur nga Kreu i Stetit.

Në letrën që drejtori i kabinetit të Presidentit Meta i dërgon homologes së tij në Kryeministri, theksohet se Kreu i Shtetit, e mirëpret drejtuesin e Qeverisë “në çdo orë që Ai mundet, duke filluar që nga mëngjesi herët në orën 05:00 deri në orën 13:00, në zyrën e Tij në Presidencë”.

Nuk mungoi përgjigja ironike e zotit Rama në Twitter, ku ai kishte publikuar dhe letrën e kabinetit të zotit Meta. “Për shkak të fushatës elektorale që po zhvillohet sipas dekretit presidencial,ku 30 qershori është përcaktuar datë zgjedhjesh, kabineti im ka komunikuar telefonikisht pamundësinë për këtë takim.

Po meqë Ilir Meta vazhdon të luajë letrash, ja dhe me shkrim: Kemi zgjedhje, jam i zënë!”

Pak më vonë, kryeministri shpërndau dhe një tjetër postim. “E meqë ra llafi tek loja e letrave të Ilir Metës, ju kam thënë pas antidekretit, se pas asaj çmendurie, pres edhe një tjetër. Se ç’kam një ndjesi që do ta bëjë, po për këtë do flasim nga e hëna e më tej, se tani kemi vetëm një punë: Zgjedhjet në 30 qershor”, shkruan zoti Rama.

Pas reagimit të kryeministrit, zëdhënësi i zotit Meta njoftoi se “takimi me zotin Basha është fiksuar të zhvillohet nesër në ora 09:00”, ndërsa ripërsërit ftesën për kryeministrin.

“Duke qenë në dijeni që zoti Rama është i zënë me takime, Presidenti do të jetë nesër në zyrë nga ora 05:00 deri në ora 13:00 duke pritur sërish që kryeministri të gjejë kohë”, u shpreh zëdhënësi Tedi Blushi.

Të mërkurën, shumica e majtë në Komisionin parlamentar të Ligjeve, propozoi ngritjen e një komisioni hetimor, pjesë e procedurës që parashikohet në rastin kur kërkohet shkarkimi i Kreut të Shtetit.

Javën e ardhshme, pritet të jetë parlamenti që të miratojë ngritjen e Komisionit të Posaçëm, kohëzgjatja e të cilit mund të përkojë me plotësimin e vendeve në Gjykatën Kushtetuese, e cila duhet të thotë fjalën e fundit. / VOA