Montenji, autori i “Eseve” është një nga ata mendimtarë që pandehim se e njohim mirë. A nuk është një nga filozofët më të përmendur, për të mos thënë një nga më të lexuarit? Për të jemi të bindur se është një moralist, një skeptik, një filozof i vetmuar që jetoi i rrethuar nga mijëra libra. Mirëpo, ai që përmbushi dy herë postin e kryebashkiakut të Bordosë, ishte gjithashtu një nga ata persona që luftoi kundër mosmarrëveshjeve fetare. Toleranca ishte besimi i tij i parë dhe ai, miku katolik i protestantëve, luftoi që adhuruesit e Perëndisë të hiqnin dorë nga urrejtja dhe mizoritë që të mësonin të jetonin në harmoni. Më shumë se një eksplorim i “Unit”, “Esetë” janë libri-trup i tij, është gjithashtu një reflektim mbi mënyrën e të jetuarit me të tjerët, gjithmonë në përditshmëri, gjithmonë për të medituar.
E parafytyrojmë duke medituar në kullën e tij në Akiten. Një njeri i mençur i tërhequr nga punët e botës, duke jetuar i rrethuar nga mijëra libra. Një mjeshtër-filozof i njohur me lartësitë e mendimit. Gabim. Ajo çfarë ne zbulojmë është një Montenj që ikën me trokth galopant, i cili nuk ngurron të kalërojë më shumë se shtatë orë rresht në ditë dhe për javë të tëra, vetëm të pijë disa gota uji në Plombières-les-Bains ose në Baden.
S’do t’ia dijë. Kështu është ai. Habitemi që e shohim patron të shqetësuar për interesat e veta, një fisnik i varur pas të drejtave të tij, një ambicioz që ëndërron të jetë këshilltar i mbretit, akoma më mirë, t’ia dalë mbanë t’i japë fund luftrave fetare, të cilat po e ndanin asokohe Francën. Ky njeri nuk ka luftuar kurrë me armë në dorë, por ngriti krye ndaj censurave të papës, luftoi për barazi fiskale dhe kauzën e të varfërve në Bordo. Montenji nuk është kurrë atje ku ne vërtetë pandehim të jetë. Ai na befason. Kështu është ai. Mendimi i tij është si uji i detit në diell, ai vetëtin. Kjo është magjia e tij, siç dëshmojnë edhe “Esetë” e tij të mahnitshme, që nuk reshtim kurrë së eksploruari. Më shumë se një tregim për veten, një kërkim për të mësuar rreth jetës, duke kultivuar dhe ruajtur lirinë e njeriut për të qenë dhe për të menduar.
Kur në vitin 1580, dolën për herë të parë në dritë “Esetë”, gjuha frënge ishte ende një gjuhë e re, e papërsosur, pa prestigj kulturor në latinisht. Gjithsesi, edhe pse prej një gjenerate, poetët e oborrit, Joakim dy Belli (1522-1560) ose Pier dë Ronsard, nën patronazhin e mbretit Henri II (mbretëroir: 1547-1559), kanë prodhuar vepra të bukura në imitimin e Antikëve dhe italianëve. Por ende mbetej pako gjë. Mungonte një lëndë më e fortë. Dhe ajo do të ishte pikërisht “Esetë”. Montenji u ofroi francezëve kryeveprën e parë në prozë.
I indinjuar nga tmerret e kryera në emër të mosmarrëveshjeve fetare, Montenj nuk resht së predikuari “arsyen publike” për t’i shërbyer një bashkëjetese paqësore. “Esetë” e tij janë një udhëtim i këndshëm në zemër të një eksperience njerëzore, e një mendimtari që pranon dyshimin, gëzon dhe e bën atë subjekt të një kryevepre.
Montenji e dinte se frika ishte burimi i fanatizmit. Gjatë jetës së tij, ai kishte parë shumë luftëra dhe persekutime mizore fetare (Nata e Shën Bartolemeut), ndaj shkruante se trazirat kishin zgjatur kaq shumë, sa ai dyshonte nëse njerëzit do të bashkoheshin ndonjëherë në jetën shoqërore. Si aristokrat, ishte kundërshtar i të gjitha “revolucioneve të rrugës” dhe ithtar i “çlirimit të shpirtit të brendshëm njerëzor nga presioni i forcave të jashtme”.
Shkrimtari, filozofi, moralist dhe politikani i Rilindjes, Mishel dë Montenj, shtegtimi i jetës së të cilit qe shumë aventuresk, është themeluesi i analizës së vetvetes, zhanrit të “Eseve”, i cili ndikoi fort në kulturën perëndimore./Konica.al
“S’do të vdesësh ngaqë je i sëmurë, por ngaqë je gjallë. Vdekja vjen edhe në shëndet; duke u shëruar nuk i shpëton vdekjes, por sëmundjes”.