MENU
klinika

"Bilbili i Kosovës"

Nderohet ikona kosovare në Pagarushë

24.06.2019 - 14:48

      Në Pagarushë të Malishevës, pritet së shpejti, të ngrihet një qendër kulturore për nder të jetës dhe veprës së këngëtares së mirënjohur kosovare, Nexhmije Pagarushës. Qendra ka për qëllim të nderojë dhe të lartësojë figurën e veprimtarinë e ikonës së muzikës shqiptare, sipas gazetës “Zëri”.

Projekti ka nismëtar organizatën “Troja”, krahas mbështetjes nga Komuna e Malishevës. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tashmë ka zgjedhur projektin fitues për këtë qendër dhe së shpejti, pritet të nënshkruhet kontrata. Rreth një viti më parë, në korrik të vitit 2018, kjo komunë ndau hapësirën ku pritet të ndërtohet kjo qendër.

Hoxha: Projekti fitues është zgjedhur, së shpejti nënshkruhet kontrata

Samir Hoxha, këshilltar i Ministrisë së Kulturës, për “Zërin” ka theksuar se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, vitin e kaluar mori vendimin për përkrahjen e ndërtimit të qendrës kulturore “Nexhmije Pagarusha” në Pagarushë të Malishevës.

 

 

 

Pas këtij vendimi dhe pas ndarjes së buxhetit për realizimin e këtij projekti, ministria e Kulturës, duke respektuar procedurat ligjore në fuqi, ka shpallur konkursin e projektimit për hartimin e projektit për ndërtimin e kompleksit “Nexhmije Pagarusha”, në Pagarushë. “Sipas detyrës projektuese të konkursit të projektimit, qendra kulturore, që do të mbajë emrin ‘Nexhmije Pagarusha’, do të ketë për qëllim promovimin e vlerave kulturore të artit skenik, të muzikës, të komunikimit dhe të ndërveprimit mes njerëzve, të promovimit të trashëgimisë kulturoro-materiale dhe shpirtërore, zgjerimit të aktiviteteve kulturore, përfshirjen e të rinjve të Pagarushës dhe të fshatrave përreth në jetën socio-kulturore dhe sportive”, u shpreh Hoxha.

Sipas tij, qëllimi i këtij konkursi të projektimit është krijimi i një objekti kualitativ arkitektonik, i cili do të shprehë prezencë të fuqishme arkitektonike në mjedisin rural, prezencë kjo që duhet të jetë bashkëkohore dhe inovative, origjinale e identifikuese. Pra një objekt kulturor, i cili do të identifikojë përmes arkitekturës vlerat emancipuese të trashëgimisë sonë kulturore. “Në këtë konkurs-projektimi për ndërtimin e kësaj qendre kulturore janë paraqitur disa projekte të hartuara nga studio vendore të arkitekturës. Ministria e Kulturës duke respektuar të gjitha procedurat ligjore të prokurimit publik ka shpallur projektin fitues të këtij konkursi të projektimit. Vendimi i Ministrisë deri më tani nuk ka hyrë në fuqi për arsye të procedurave ankimore lidhur me rezultatin e konkursit të projektimit. Aktualisht ne si Ministri pas procesit të rivlerësimit të këtij konkursi të projektimit kemi shpallur fituesin e konkursit dhe tani presim që në bazë të procedurave ligjore të nënshkruajmë kontratën me operatorin ekonomik të shpallur fitues”, tha Hoxha duke shtuar tutje se sipas dinamikës së paraparë presin që pas hartimit të projektit kryesor për ndërtimin e qendrës kulturore “Nexhmije Pagarusha” gjatë këtij viti të shpallin tenderin për ndërtimin e këtij objekti kulturor, i cili do të jetë pikë referimi jo vetëm për rajonin e Malishevës, të Rahovecit dhe të Suharekës, por do të jetë pikë referimi kulturor edhe për tërë territorin e Kosovës.

 

 

 

 

Sipas Hoxhës, kjo hapësirë do t’u dedikohet edhe shfaqjeve teatrale, dramave, koncerteve muzikore, festivaleve rajonale, promovimeve të librave, ekspozitave të ndryshme, takimeve të komunitetit dhe të mundë të shërbejë edhe si bibliotekë po edhe për aktivitete tjera. Në të njëjtën kohë, qendra do të ketë edhe muzeun e trashëgimisë, si dhe amfiteatrin e jashtëm e të gjitha hapësirat tjera përcjellëse për një qendër të karakterit të tillë kulturor.

Albanë Hoti, drejtuese e organizatës “Troja”, OJQ kjo që ka qenë iniciuesja e projektit duke ia drejtuar e para kërkesën Komunës së Malishevës, për “Zërin” ka treguar se si ka nisur e gjithë ideja. “Ne ia kemi drejtuar fillimisht kërkesën Komunës së Malishevës. Kemi synuar një projekt ideor drejt realizimit të Qendrës Kulturore të Nexhmije Pagarushës. Pastaj kemi gjetur mbështetje të MRKS-së. Tash jemi në pritje të fazës finale të publikimit të projektit, sepse ata janë në përgatitje të disa miniprojekteve që kanë për t’iu bashkëngjitur këtij projekti. Janë marrë hapa konkretë sa i përket MRKS-së, por Komuna e Malishevës me kapacitetet e saj ka ndarë parcelën, e cila do ta mundësojë ndërtimin e këtij kompleksi”, u shpreh Hoti.

 

 

 

 

Hoti ka vlerësuar se iniciativa ka ardhur prej organizatës që ajo drejton me dy koleget e saj dhe si rrjedhojë e kësaj është menduar t’i shpërblehet puna ikonës së muzikës shqipe. “Jemi duke e kompletuar punën që ka filluar organizata jonë dhe jemi shumë të kënaqur, për faktin se bëhet fjalë një personalitet si Nexhmije Pagarusha. E kemi përpunuar, e kemi ideuar projektin, pritet vetëm publikimi”, – theksoi ajo.

Rikujtojmë se këngëtarja Nexhmije Pagarusha, numëron më shumë se pesë dekada karrierë në skenën e artit muzikor. Dikur, ajo ishte aktive edhe në kinematografi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nostalgji për divën e muzikës shqiptare

Epopeja që mban emrin Pagarusha


Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale