MENU
klinika

“La sylphide” në ArTurbina

Një përrallë në majë të gishtërinjve

02.06.2019 - 12:29

   Ajo vjen si “La sylphide”, ndërsa i vëllai në rolin e skocezit të dashuruar. Mbrëmja e të premtes risolli magjinë e një baleti 187-vjeçar, të frymëzuar nga një balerinë. Adela dhe Anxhelo Muçollari, sollën në skenën e ArTurbinës, një histori të lashtë dashurie mes reales dhe surreales, njeriut dhe zanës së ajrit, baletit, muzikës e mitologjisë.

Baleti përmes mizaskenash, pantonimave, lëvizjeve silfidiane, risjell versionin origjinal të veprës, atë të August Bournonville, që u shfaq për herë të parë në 1836-ë në Kopenhagen, duke ruajtur gjatë dy akteve të gjallë vëmendjen e publikut.

 

 

 

Adela erdhi me lehtësinë e balerinës muzë, Maria Taglionit që shënoi “revolucionin” duke ngjitur në skenë për hërë të parë këtë pjesë referuese për baletet tradicionale romanike. Natyrisht duke rrëfyer zanafillën e kuanteve, për herë të parë në “La sylhide”, e natyrisht “Në majë të gishtërinjve”.

 

 

 

Katër net magjike, me katër çifte balerinësh që u japin mundësi talenteve të reja të rrëfejnë përmes gjuhës së trupit një histori të rrallë dashurie, mbyllin rrugëtimin e tyre silfidian, mbrëmjen e të dielës, në skenën e ArTurbinës. 23 të rinj të shkollës së Baletit, iu bashkuan solistëve të TKOB, për të përjetuar e njëherazi dhuruar një ëndërr.

 

Përralla:

James, një i ri skocez është në vigjilje të dasmës me të fejuarën e tij Effie-në, por një zanë ajri (silfidë) do t’i shfaqet duke kërcyer në ëndërr e do të zhduket sapo ai të zgjohet. Djaloshi dashurohet me të, e njëkohësisht duhet të martohet me Effie-në. Mes të ftuarve në dasmë shfaqet shtriga Madge, e cila i rrëfen James-it se Effie, dashuron dikë tjetër më shumë se atë. James e përzë shtrigën dhe përgatitjet e dasmës vijojnë. “La sylphide” rishfaqet, por vetëm ai mund ta shohë. Para ceremonisë, ajo rrëmben unazën e dasmës të destinuar për Effie-në. James e ndjek në pyll, duke braktisur të fejuarën.

 

 

 

Gjatë aktit të dytë, James i gjendur në pyllin e magjepsur, merr dhuratë nga shtriga Madge, një shall magjik që duhet ta ndihmojë për të kapur zanën. Por, shalli i helmuar sapo hidhet në supet e zanës bën që ajo të humbasë krahët, duke sjellë një fund tragjik.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN