“Zgjidhja e kompromisit për çështjen e Kosovës nuk mund të nënkuptojë që Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës në tërë territorin e saj“, kështu deklaroi ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç në një konferencë për media në Beograd.
Daçiç theksoi se sipas tij e rëndësishme për Serbinë është që të gjendet një zgjidhje kompromisi, por se kjo zgjidhje sipas tij nuk mund të bëhet me detyrim.
“Për ne tani është e rëndësishme që të gjejmë një zgjidhje kompromisi. Kjo zgjidhje nuk mund të bëhet me detyrim, që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur në tërë territorin e saj. Ky nuk mund të jetë kompromis”, tha Daçiç.
Ai tha se Serbia nuk paraqet asnjë pengesë për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, porse kërkon të hiqet taksa 100% që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia.
Dialogu midis palëve është ndërprerë prejse Kosova e ka marrë vendimin për këtë taksë në nëntor të vitit të kaluar.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia nuk e njeh Kosovën.