Udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam, tha se nuk do të heqë dorë nga një ligj kontrovers që do të lejonte ekstradimin në Kinë, pavarësisht protestave.
Të dielën, qindra-mijëra njerëz u mblodhën kundër ligjit, për të cilin kritikët druajnë se do t’i mundësojë Kinës të shënjestrojë kundërshtarët politikë në rajon.
Duke folur për gazetarët të hënën, Lam tha se ligji është i nevojshëm dhe se të drejtat e njeriut do të mbrohen.
“Projektligji nuk u iniciua nga qeveria qendrore”, tha Lam, duke iu referuar Pekinit.
Sipas mediave kineze, prapa protestave qëndrojnë “forca të huaja”.
Organizatorët thanë se në marshimin e së dielës morën pjesë rreth një milion njerëz, ndërsa sipas policisë 240,000.
Nëse shifra e organizatorëve konfirmohet si e saktë, ajo do të ishte demonstrata më e madhe në Hong Kong, prejse territori i është dorëzuar Kinës nga Britania, në vitin 1997.
Protestuesit, përfshijnë një gamë të gjerë njerëzish, nga biznesmenët dhe avokatët tek studentët, figurat pro-demokraci dhe grupet fetare.
“Kjo është loja përfundimtare për Hong Kongun, është çështje jete ose vdekjeje. Prandaj unë po vij,” tha Rocky Chang, një profesor 59-vjeçar, për agjencinë e lajmeve Reuters. “Ky është një ligj i keq”.
Hong Kongu është pjesë e Kinës, por ka sistemin e vet gjyqësor.Zyrtarët e Hong Kong kanë thënë se gjykatat e Hong Kongut do të kenë fjalën përfundimtare nëse do të japin kërkesa të tilla ekstradimi dhe të dyshuarit e akuzuar për krime politike dhe fetare nuk do të ekstradohen.
Ka pasur shumë opozitë publike dhe kritikët thonë se njerëzit do të jenë subjekt i paraburgimit arbitrar, gjyqit të padrejtë dhe torturës nën sistemin gjyqësor të Kinës.