Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), në mbledhjen e fundit të bordit drejtues ka vendosur të ndërmarrë një revolucion për sa i përket garës që bëhet për të zhvilluar një event olimpik.
Kështu, IOC vendosi që çdo shtet që do të hedhë kandidaturën, duhet fillimisht të organizojë një referendum në zonën apo zonat ku do të zhvillohet kjo Olimpiadë, dimërore apo verore.
Kjo masë u ndërmorr për të evituar tërheqjen e qyteteve kandidate në momentin e fundit, pasi kandidatura nuk ka marrë pëlqimin e qytetarëve.
Gjithashtu, IOC konfirmon bashkimin e 2-3 qyteteve apo vendeve për të organizuar një Olimpiadë, siç ishte rasti i Italisë, që do të organizojë Olimpiadën dimërore të vitit 2026 në Milano-Cortina.
IOC vendosi që qyteti fitues do të shpallet të paktën 7 vite më herët nga data e fillimit të Olimpiadës.
Mendohet që brenda vitit 2024 të përcaktohet qyteti që do të organizojë Olimpiadën e vitit 2032, ku Brisbane është kandidati kryesor (në 2024 Lojërat do të zhvillohen në Paris dhe ato të vitit 2028 në Los Anxhelos).