Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin e tyre rreth propozimit të amendamenteve të ligjeve të Hong Kongut, që do të lejonin të dyshuarit për krime të ekstradohen në Kinë për ndjekje penale.
Një zëdhënëse e Departamentit të Shtetit tha para gazetarëve të hënën, se demontstrata paqësore e qindra mijëra personave në Hong Kong shpreh qartë kundërshtimin e njerëzve për amendamentet e propozuara. Megjithatë, udhëheqësi i Hong Kongut tha se do të vazhdojë me zbatimin amendamentet të debatueshme.
Protestuesit janë përleshur me policinë në protestat masive që vazhduan edhe ditën e hënë në Hong Kong, ku shumë qytetarë u arrestuan.
Zyrtarë të Hong Kongut thanë se amendamentet nuk do të lejonin që kriminelët të gjejnë strehë të sigurtë në Hong Kong.
Por kritikët kërkuan shtyerjen e votimit, pasi thonë se ndryshimi i ligjit i jep mundësi Kinës që të kontrolljë sistemin juridik të territorit dhe përndjekjen e kundërshtarëve politikë.
“Nuk besojmë asgjë në këtë çështje. Nuk ka besim, nuk ka siguri dhe bëjmë thirrje prapë që të merret parasysh, nëse jo të hiqet e tëra, të paktën të shtyhet votimi. Ju lutem a mund ta shtyni atë në mënyrë që Hong Kongu të marrë frymë? Le ta mendojmë me kujdes të gjithë. Ajo po e çon Hong Kongun drejt greminës dhe askush nuk e do këtë gjë.”
Por udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam, tha se nuk ka arsye që të shtyhet votimi.
“Projektligji do të vazhdojë të debatohet më 12 qershor. Ju bëj thirrje anëtarëve të këshillit legjislativ dhe shoqërisë civile të vazhdojnë kontributin në një diskutim të qetë, të arsyeshëm dhe në mënyrë paqësore.”
Uashingtoni shprehu shqetësimin se amendamentet do të ndikojnë në autonominë e Hong Kongut.
“Ne jemi gjithashtu të shqetësuar se amendamentet do të dëmtojnë situatën e biznesit të Hong Kongut dhe se sistemi juridik i paqëndrueshëm i Kinës do të ndikojë tek qytetarët tanë që jetojnë në Hong Kong ose e vizitojnë atë.”
Ministri i Jashtëm i Kinës dënoi çdo përpjekje për ndërhyrje nga jashtë në këtë çështje, duke shprehur mbështetjen e tij për qeverinë e Hong Kongut.
Protesta e së dielës është më e madhja nga viti 1997, kur Hong Kongu kaloi nga kontrolli i Britanisë tek ai i Kinës.