Teksa “Mbrojtja edhe Trashëgimia Kulturore Jomateriale dhe inventarizimi i saj me bazë komunitetin” po zhvillohet në Ministrinë e Kulturës, specialistët u njohën sot, me fazën fillestare të inventarizimit të trashëgimisë jomateriale kulturore. Eksperti ndërkombëtar për UNESCO-n, nga Serbia, Sasa Sreckovic, pas trajtimit të kësaj teme, shprehet për lahutën, e njohur kjo, prej disa muajsh, nga UNESCO, si trashëgimi e Serbisë.
“Kur flasim për trashëgimin kulturore jomateriale ngjallet një debat global, që ka të bëjë me pronësinë. A është lahuta, pronë e dikujt? Në rastet e kulturës material, kur kemi të bëjmë me godina, ne themi kujt i përket, emrin e atij që e ka ndërtuar edhe shtetin, ndërsa në rastin e trashëgimisë kulturore jomateriale, kjo është e pamundur që të ketë një përgjigje. Kështu, ju mund të jeni të qetë, pasi trashëgimia kulturore jomatëriale nuk mund të ketë pronësi”, – shprehet Sasa Sreckovic.
Më tej, ai shton se së pari duhen identifikuar komunitetet edhe anëtarët e komunitetit, që aplikojnë dhe mbajnë gjallë këtë traditë edhe më tej, hapi i dytë, është etika, morali, si dhe aspekti ligjor i të gjithë procesit.
“Një ndër pikat esenciale të UNESCO-s është pikërisht stimulimi i bashkëpunimeve ndërkombëtare në kontekstin e trashëgimisë kulturore jomateriale. Ky aspekt ishte i pari, por nga ana tjetër, është krejt njerëzore, që komunitete të caktuara, për grupime njerëzisht në secilin shtet kanë tendencën që të thonë: Është e imja! Është krejt njerëzore. Detyra jonë si institucion dhe ekspertë, është të stimulojmë komunitetet edhe t’i përfshijmë në bashkëpunime mes tyre. Ka disa mënyra për të shkuar me aplikimet që u bënë për guslen (lahutën) edhe një mënyrë është aplikimi multinacional, për elementin në fjalë”, – shpjegon ai.
Ai na shpjegon, se interesi për lahutën është i madh, jo vetëm nga vendi ynë, por edhe nga shtetet e tjera.
“Janë shumë shtete të interesuara për lahutën, jo vetëm Shqipëria – është Mali i Zi, Bosnja edhe Hercegovina, por disa nuk e kanë të regjistruar në regjistrin kombëtar të trashëgimisë kombëtare jomateriale”, – thotë ai.
Shkëmbimi i informacioneve mes institucioneve është një nga fazat më të rëndësishme, si dhe regjistrimi i dosjes shqiptare (“Eposi i Kreshnikëve”, ku përfshihet edhe lahuta) në UNESCO.
“Hapi i parë që bëjmë është pikërisht që të shkëmbejmë informacione midis institucioneve edhe komunitetit, pasi kjo është pika e nisjes. Në mënyrë që të ndihmojmë njëri-tjetrin, për të përparuar në proceset e kërkuara… Nuk është e lehtë, por detyra jonë si ekspertë, është sensibilizimi i komuniteteve. E para, duhet që të bëjmë njerëzit që të kuptojnë se nuk është çështje pronësie. Nëse ne finalizuam me sukses një aplikim, kjo nuk na bën pronarë të elementit. Po ashtu, është e pamundur edhe në kontekstin ligjor. Gjithçka fillon nga bashkëpunimi i mundshëm, midis institucioneve edhe komuniteteve. Nëse kjo realizohet, çdo gjë është e mundur”, – thekson Sreckovic.
Meri Kumbe, eksperte pranë UNESCO-s nga Shqipëria, teksa na shpjegon rëndësinë e këtij aktiviteti, ndalet edhe në situatën aktuale të këngës me lahutë. në vendin tonë:
“Ky workshop pesëditor, i kërkuar nga MK edhe mbështetur financiarisht nga Qendra Rajonale e Sofies, punon nën ombrellën e UNESCO-s. Është i dyti ëorkshop, që bëhet në vend dhe është i fokusuar mbi inventarizimin e trashëgimisë kulturore jomateriale. Në fakt e gjithë situata me trashëgiminë tonë kulturore jomateriale, që prej shumë faktorësh na kanë sjellë këtu, kanë rritur ndjeshëm edhe vëmendjen e MK-së ndaj kësaj. Një ndër detyrimet e para që buron nga konventa, që shteti shqiptar e ka ratifikuar tanimë prej më shumë se një dekade, është pikërisht inventarizimi i kësaj trashëgimie jomateriale. Është hapi i parë për trajnimin e njerëzve mbi procesin e inventarizimit, ku rol parësor i jepet komunitetit edhe anëtarëve të tij. Njerëzit duhet të fillojnë të kenë zë, të vendosin vetë për atë që u përket edhe të jenë pjesë e ndarjes edhe bërjes publike, sipas dëshirës së tyre, për atë që e kanë pjesë të identitetit të tyre, siç është edhe trashëgimia kulturore jomateriale… Pas këtij ëorkshop, presim që të kemi një regjistër kombëtar me 90 elementë, të inventarizuar, që do të shtrihet në disa zona të Shqipërisë”, – shprehet specialistja pranë TKJ, Meri Kumbe.
Ndërsa, për regjistrimin e lahutës në UNESCO, specialistja Kumbe, shprehet se: “Kjo është një ndër pikat e rëndësishme, që ne të vazhdojmë me regjistrimin e elementëve të tjera në UNESCO. Është i rëndësishëm bashkëpunimi e tanimë, MK ka nisur një fushatë bashkëpunuese me shumë aktorë të fushës. Për hir të së vërtetës, interpretimi me lahutë tek ne është në një moment kritik, emergjent, sepse rrezikojmë ta humbasim. Edhe pse s’jam pjesë e MK, di që ka një sensibilitet të lartë dhe janë të shumta institucionet që e kanë intensifikuar punën”, – vijon specialistja Kumbe.
Workshopi do të vazhdojë në sallën “Tefta Tashko”, në Ministrinë e Kulturës, deri në datë 28 qershor.