Punët më të përzgjedhura në kavaletë, të 40 artistëve të rinj, studentë të degës së pikturës, janë ekspozuar për publikun pranë Galerisë së Fakultetit të Arteve të Bukura. Në kënvështrimin e artistëve të rinj, duke shpalosur edhe individualitetin e tyre, realiteti shqiptar vjen përmes këtyre tablove dhe vëzhgimit të një artisti.
Ndonëse vëmendja kryesore i takon tematikave sociale, në pikturat e ture zënë vend edhe teknologjia, apo arti i një tjetër epoke, që ka lënë gjurmë të thella në pikturë. Pedagogu Edmond Gjikopulli, është shprehur për mediet, mbi punët më të mira dhe kërkimet që artistët e rinj, kanë ndërmrrë për të sjellë këto vepra.
“Kërkimet janë personale. Është mirë që të jetë kështu, sepse edhe puna jonë bazohet mbi shqetësimet që ka secili, preokupimet personale, mënyra se si e shikon jetën edhe shoqërinë. Pjesa më e madhe e punëve është me një preokupim social, ndërsa krahas kësaj tematike ka edhe tablo, estetike. Ne përpiqemi që prej secili të nxjerrim maksimalen prej tyre. Kjo është një shkollë që nxjerr artist, edhe arti nuk është profesion. Por ata janë të përgatitur edhe nga pikëpamja artistike, mësojnë teknika, që mund t’u shërbejnë edhe më shumë për punën”, – shprehet pedagogu dhe piktori, Edmond Gjikopulli.
Studentët, po ashtu, flasin për kërkimet, si edhe pritshmëritë për të ardhmen, në artin e pikturës.
“Jam për pikturë kavaletë, sepse kjo degë më përfaqëson në atë që unë dua. Zgjodha që të bëj botën e Van Gogut, prandaj sjell syrin e tij, për të treguar se si ai se sheh jetën. Duke u thelluar në botën e tij, u mundova që ta sjell edhe unë në mënyrën time. Van Gogh është një ndër piktorët e mi të preferuar, prandaj kam dashur që të tregoj atë edhe veten”, – ka thënë B. Hafësllari.
Për ne studentët e akademisë, nuk është e vështirë për të bërë një punë të tillë, mjafton që të kenë dëshirë edhe vullnet dhe çdo gjë arrihet – thotë një tjetër student, Hygerta Duraku.
“Unë sjell pasqyrimin e një personi në pasqyrë. Kemi pasur një model edhe secili e ka realizuar në mënyrën edhe stilin e vet. Unë nuk është se i kam vajtur mbrapa kësaj dege, por asnjëherë nuk është vonë. E ndjej veten mirë, edhe pse nuk kam mbaruar lice, si studentët e tjerë. Në Shqipëri nuk është se ka ndonjë të ardhme të sigurtë, por mendoj se nëse je i aftë, shumë gjëra edhe mundet që t’i arrish”.
Ekspozita nga artistët e rinj, do të vijojë për publikun, pranë galerisë së Fakultetit të Arteve të Bukura.