Ashtu si vitin e kaluar, edhe këtë vit festivali Sunny Hill Festival ka nisur përgatitjet për fundjavën e parë të gushtit kur disa prej artistëve më të mëdhenj shqiptarë do të performojnë para publikut.
Përgjatë javës, janë konfirmuar dy artistet e para që do të performojnë: Njomza, artistja shqiptare me karrierë në SHBA dhe Kida.
Ndërkohë ditën e sotme, një tjetër artist ka bërë të ditur se është i ftuar në Sunny Hill.
Bëhet fjalë për Ledri Vulën, i cili ka qenë ndër reperët që edhe vitin e kaluar ka elektrizuar skenën me performancat e tij.
Reperi dhe ylli shqiptar me famë botërore, Dua Lipa janë përfolur për një lidhje në të shkuarën, por ende vazhdojnë miqësinë. Mesa duket Dua dhe ekipi i saj ka dashur të ketë në skenë edhe yllin shqiptar Ledrin.
Sunny Hill Festival do të mbahet në parkun e Gërmisë më 2, 3 dhe 4 gusht.