MENU

Arsyeja

Trump së shpejti vizitë në Korenë e Jugut

24.06.2019 - 14:05

Presidenti i SHBA Donald Trump do të vizitojë Korenë e Jugut këtë fundjavë pasi një shkëmbim letrash me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong-un nxiti shpresat për bisedime lidhur me përfundimin e programit bërthamor të Koresë së Veriut.

Trump do të mbërrijë në Korenë e Jugut për një vizitë dy-ditore të shtunën dhe do të takohet me Presidentin Moon Jae-in të dielën, pas një takimi të udhëheqësve të G20 në Japoni, tha zëdhënësja e liderit korean, Ko Min-jung.

Njoftimi vjen disa orë pasi Sekretari i Shtetit i SHBA Mike Pompeo tha se shpresonte që një letër e Trumpit për Kim mund të hapë rrugën për një ‘ringjallje’ të bisedimeve bërthamore.

Pompeo, i cili foli para largimit nga Uashingtoni për Lindjen e Mesme, tha se Shtetet e Bashkuara ishin gati të rifillonin menjëherë bisedimet me Korenë e Veriut.

Trump po konsideron një vizitë në zonën e çmilitarizuar (DMZ) që ndan dy Koretë, tha një zyrtar i Koresë së Jugut. Ai donte të shkonte atje gjatë një udhëtimi të vitit 2017 , por mjegulla  e pengoi.

Një zyrtar tjetër në zyrën presidenciale të Koresë së Jugut tha se nuk ishte në dijeni për ndonjë plan që Trump të takonte Kim.

Trump dhe Kim mbajtën samitin e tyre të parë në Singapor në qershor të vitit të kaluar, duke rënë dakord për marrëdhënie të reja dhe për të punuar drejt denuklearizimit të gadishullit Korean.

Por një samit i dytë në Vietnam në shkurt dështoi pasi të dyja palët nuk ranë dakord për kërkesat e SHBA për denuklearizimin dhe kërkesat e Koresë së Veriut për lehtësimin e sanksioneve.