MENU
klinika

"E keqja solli një të mirë"

U goditën nga tërmetet, Rama bën premtimin e madh për banorët e Floqit

06.06.2019 - 09:34

Kreu i qeverisë, Edi Rama vizitoi dje banorët e fshatit Floq.

Këta banorë humbën banesat e tyre si rezultat i tërmeteve të njëspasnjëshme që goditën fshatin.

Banorët e fshatit Floq prej disa netësh qëndrojnë në çadra dhe ambientet e shkollës të përshtatura për ta, ndërkohë që përballen me një situatë të vështirë.

Edhe pse kanë qenë të shumta ndihmat e ofruara për ta nga instancat, fondacionet, bizneset, por edhe nga qytetarët, banorët përballen me një situatë të vështirë, ndërkohë që meraku më i madh për ta mbetet ndërtimi i shtëpive.

Gjatë vizitës së djeshme, kryeministri u premtoi atyre ndërtimin e shtëpive si edhe dëmshpërblimin e atyre që kanë pësuar dëmtime të pjesshme.

Pasi vizitoi çadrat dhe personat që ndodhen aty, kreu i qeverisë takoi edhe të strehuarit në shkollën e fshatit, duke i garantuar ata për zgjidhjen e problemit dhe qëndrimin në gatishmëri të të gjithë instancave deri në normalizimin e situatës së tyre dhe zgjidhjen e çdo problematike.

Kemi bërë gati bilancin e dëmeve dhe planin e veprimeve. Brenda verës do ndërtohen dhe në fillim të vjeshtës ju do të jeni në shtëpitë tuaja.

Kjo ishte një e keqe që nuk e ndalonim dot, por që do vijë me të mirën e vet dhe që shtëpitë do jenë më të mira sesa ishin më parë. Do t’ju ndihmojmë edhe për pjesën e orendive”, u premtoi Rama banorëve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN