MENU
klinika

Investimi strategjik

“White Rocks”, brigjet e Dhërmiut jepen në përdorim për 20 vite

22.06.2019 - 18:18

Qeveria shqiptare ka miratuar një tjetër investim strategjik në zonën e Himarës. Referuar vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, projekti i ri strategjik është emërtuar “White Rocks” në Dhërmi.

Investitori ka përfituar statusin e investitorit strategjik, procedurë e asisteuar me 4 mars të vitit 2019, nga Komiteti i Investimeve Strategjike.

Afati për përdorimin e brigjeve, sipas këtij vendimi do të jetë për 20 vite, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Bashkia Himarë ka detyrimin që brenda 15 ditësh nga data e paraqitjes së investitorit strategjik të lidhë kontratën përkatëse për lejimin e përdorimit të brigjeve të detit, në përputhje me sipërfaqet dhe destinacionin e kërkuar nga subjekti, brenda koordinatave të sipërfaqes së lejuar nga vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike.

Investitori strategjik do t’i përdorë brigjet përgjatë periudhës së sezonit veror 15 maj-30 shtator të çdo viti kundrejt pagesës së tarifës në përputhje me tarifën e plazheve të përcaktuar në vendimin e Këshillit Bashkiak Himarë.

Të ardhurat e mbledhura nga tarifa për dhënien e së drejtës së përdorimit të brigjeve administrohen dhe bëjnë pjesë në buxhetin e bashkisë Himarë.

Qeveria vendosur

  1. Lejimin e përdorimit të brigjeve të detit dhe të sipërfaqes përpara resortit për realizimin e projektit investues strategjik “White Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Himarë, zona kadastrale 1739, i cili ka përfituar statusin e investitorit strategjik, procedurë e asistuar, me vendimin nr.15/3, datë 4.3.2019, të Komitetit të Investimeve Strategjike (në vijim “KIS”).
  2. Afati për përdorimin e brigjeve, sipas këtij vendimi, do të jetë 20 (njëzet) vjet, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
  3. Bashkia Himarë ka detyrimin që, brenda 15 ditëve, nga data e paraqitjes së kërkesës së investitorit strategjik “Eurocol” sh.p.k., të lidhë kontratën përkatëse për lejimin e përdorimit të brigjeve të detit, në përputhje me sipërfaqet dhe destinacionin e kërkuar nga subjekti, brenda koordinatave të sipërfaqes së lejuar nga vendimi i KIS-it.
  4. Investitori strategjik “Eurocol” sh.p.k., duhet të paraqesë, pranë Bashkisë Himarë, kërkesën dhe dokumentacionin, si më poshtë vijon:
  5. a) ekstrakt të 3 muajve të fundit, lëshuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit;
  6. b) planvendosje të sipërfaqes, për të cilën subjekti kërkon të lidhë kontratë me njësinë e vetëqeverisjes vendore;
  7. c) përshkrim të aktivitetit që do të realizojë në sipërfaqen për të cilën kërkon të lidhë kontratë.
  8. Përdorimi i brigjeve do të kryhet përgjatë periudhës së sezonit veror, 15 maj–30 shtator, të çdo viti, përkundrejt pagesës së tarifës, në përputhje me tarifën e plazheve, të përcaktuar në vendimin e Këshillit Bashkiak Himarë. Kjo tarifë do të aplikohet vetëm mbi sipërfaqen objekt kontrate, sipas pikave 3 dhe 4, të këtij vendimi, të lidhur me Bashkinë Himarë, përgjatë periudhës së përmendur në këtë pikë.
  9. Të ardhurat e mbledhura nga tarifa për dhënien e së drejtës së përdorimit të brigjeve administrohen dhe bëjnë pjesë në buxhetin e Bashkisë Himarë.
  10. E drejta e përdorimit të brigjeve nga ana e investitorit strategjik “Eurocol” sh.p.k., me NUIS/NIPT J61810018B, koordinatat, sipërfaqja e lejuar për përdorim afatgjatë dhe kushtet e përdorimit bazohen në vendimin nr.15/3, datë 4.3.2019, të KIS-it, dhe në përputhje me përcaktimet e kontratës përkatëse që investitori strategjik duhet të lidhë me Bashkinë Himarë.
  11. Ngarkohet Bashkia Himarë për lidhjen e kontratës përkatëse me investitorin strategjik, në zbatim të këtij vendimi. Në këtë kontratë të parashikohen shprehimisht të drejtat e detyrimet e autoritetit kontraktues dhe të drejtat e detyrimet e investitorit, në funksion të projektit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


AKEP: S’bëjmë dot gjë

Valët greke në plazhet e jugut