MENU
klinika

"Miku më i mirë"

Xi Jinping feston ditëlindjen me Putinin?

15.06.2019 - 15:14

Presidenti kinez Xi Jinping festoi ditëlindjen e tij të 66 të shtunën me presidentin rus Vladimir Putin, të cilin Xi e konsideron një mik të ngushtë, njoftoi media kineze e shtetit.

Diskutimi i jetës private të liderëve të lartë është jashtëzakonisht i rrallë në Kinë dhe datat e saktë të lindjes së shumicës së tyre nuk janë zbuluar publikisht, pasi ato konsiderohen si sekret shtetëror.

Televizioni shtetëror tregoi fotografitë e XI dhe Putinit duke mbajtur gota shampanjë për të festuar ditëlindjen e Xi-së në hotelin ku po qëndronte në Dushanbe, kryeqytetin e Taxhikistanit, ku ata të dy janë duke marrë pjesë në një samit rajonal.

Xi falënderoi Putin dhe tha se në Kinë Putin ishte shumë popullor.

Edhe në vizitën e tij të fundit në Rusi, presidenti kinez Xi Jinping ka dhuruar dy panda për Kopshtin Zoologjik të Moskës.

Xi Jinping e quajti presidentin rus, Vladimir Putin, mikun e tij më të mire edhe gjatë vizitës treditore në Moskë, që u fokusua te tregtia dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.

Vizita erdhi në një kohë kur marrëdhëniet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara janë trazuar nga një luftë e ashpër tregtare. Rusia, në anën tjetër, i ka hedhur sytë nga Lindja vite më parë, pasi lidhjet me Perëndimin u tensionuan si pasojë e konfliktit në Ukrainë.

Të dyja palët kanë nënshkruar një paketë marrëveshjesh tregtare, ndërkohë që Aleanca mes dy vendeve është përforcuar, që kur Moska dhe Pekini e panë veten të distancuara nga Europa, e veçanërisht nga SHBA.

Vizita e Xi Jinping në Moskë ka thelluar edhe më shumë bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik, me marrëveshjen kyçe të nënshkruar për lejimin e gjigandit teknologjik kinez, Huawei, për të zhvilluar rrjetin 5G në Rusi.