“Moulin Rouge”, shfaqja e baletit me emrat më të mëdhenj të skenave botërore, sonte vjen për publikun, në Amfiteatrin e Tiranës
“Ëndrra e një nate vere” apo “Liqeni i mjellmave” mund të jenë një mundësi ideale, për të kaluar një mbrëmje vere çlodhëse këto ditë, kur temperaturat shënojnë vetëm rritje.
Kryeqyteti mund të mos ju ofrojë plazhin, por janë pa fund aktivitetet për të gjithë artdashësit dhe jo vetëm. Për të gjithë ata që duan të kalojnë një ditë ndryshe, Amfiteatri i Liqenit i kësaj të premteje do të jetë skena e “Takohemi në Moulin Rouge”.
Ky event kërcimi organizohet nga shoqata “ZUMBA ART”, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës.
Ky spektakël do të sjellë në Tiranë, plot kërcimtarë elitarë, të cilët do të performojnë numrat më brilantë nga arti i kërcimit si: “Zhizel”, “Liqeni i Mjelmave”, “Ëndrra e një nate vere”, etj.
E premtja në kryeqytet do të jetë një natë e mrekullueshme nën tingujt e muzikës dhe nën interpretimin e shumë kërcimtarëve. Pse jo, një natë ku të gjithë mund të ftojmë dikë për të kërcyer së bashku, në Amfiteatrin e Parkut të Madh të Liqenit Artificial.