MENU
klinika

“Jul Çezar” sukses i garantuar

Artistët: Impakt, më tepër se 10 protestat e opozitës

11.07.2019 - 16:42

     Shfaqja “Jul Çezar” e Shekspirit, vjen në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, me regji nga kroati Ivica Buljan, që e aktualizon veprën me situatën politike në Shqipëri. Ndërsa, për aktorët, impakti i kësaj shfaqjeje do të jetë më i fortë se dhjetë protestat e opozitës.

Si rrallëherë në agoret e dy teatrove Kombëtar edhe Eksperimental, do të inskenohet “Jul Çezar” me autor Shekspirin e madh. Regjisori kroat Buljan, sjell para publikut veprën e shkruar në vitet 1599. Në qendër të shfaqjes janë republikanët, të cilët të udhëhequr prej Brutit dhe Kasit, vrasin Jul Çezarin, diktatorin e Romës, që kishte mbledhur rreth vetes aq pushtet, sa rrezikonte që vendin ta kthente në monarki, duke restauruar kësisoj republikën. Regjisori, i cilësuar nga “Nju Jork Times”, si një ndër dhjetë regjisorët më të mirë të momentit, rrëfen përse zgjodhi për ta sjellë “Jul Çezarin” në teatrin shqiptar.

 

 

 

 

“Pse Jul Çezarin?! Sepse është një nga të preferuarit e mi, mes shumë veprave të Shekspirit. Ndoshta është një nga thrillerët e parë të ndonjë politikani. Unë kam qenë admirues i trilleve në literaturë, kinema, si dhe në teatër. Për mua, kjo është zgjedhja e përkryer mes poezisë së Shekspirit, teatrit politik edhe thrillerit si zhanër”, – shprehet Buljan.

“Jul Çezari”, vjen para publikut në një moment të trazuar politik është në vend, por regjisori tregon sesi e ka aktualizuar veprën me realitetin shqiptar.

“Në përgjithësi, në teatrin bashkohor në Europë ose në botë, ka dy mënyra për të përshtatur një teatër politik. E para, që është e përhapur këto kohë, është teatri dokumentar, kur regjisori dhe aktorët i referohen direkt situatës politike. Ka shumë performanca të tilla, kur aktorët dhe regjisori tregojnë se kush është Jul Çezari, se kush është Bruti. Unë jam nga ana tjetër e lumit. Mua më pëlqen shumë ideja e që krijuan për politikën regjisorët e viteve ’60-të, kjo në teatrin avangardë amerikan, apo në artin e teatrit evropian. Për shembull, regjisori francez Antoine Vitez, thotë se “nuk është e nevojshme të tregosh drejtpërdrejt se kush është Jul Çezari, audienca është shumë inteligjente dhe mundet ta kuptojë se kush mund të jetë dhe kush nuk është”, – vijon më tej regjisori kroat.

Sa për aktorët shqiptarë, të cilët e përjetojnë për herë të parë këtë si përvojë artistike, fakti që kjo vepër i flet aktualitetit shqiptar, i bën ata edhe më entuziastë.

 

 

 

 

“Ne që jemi pjesë e këtij vendi edhe e dinamikave politike të tij, e ndjejmë ende më mirë dhe jemi shumë më të ndjeshëm ndaj këtyre ngjarjeve. Them që për të gjithë ne, unë do ta thosha se shfaqja jonë e datës 13, do të jetë shumë më e mirë, se dhjetë protestat e opozitës, apo 35 të tjerat që mund të bëjë,mnë sensin qytetar”, – shprehet aktori, Alfred Trebicka.

 

Edhe për Romir Zallën (Jul Çezari) vepra është një provokim jo vetëm për hir të fabulës, që është e vjetër sa bota, sepse lufta për pushtet është e vjetër sa bota. “Më shumë se politikës i flet popullit, njerëzve, sepse janë ata, që lejojnë apo jo, situata të tilla ekstreme”, – thotë Zalla.

Ndërsa, aktori Ervin Bejleri, shprehet se: “Ajo që unë do të theksoja është: përse, njerëzit duhet të vijnë ta shohin? Alfredi e tha bukur, se është një shfaqje që, përsa i përket impaktit që do të ketë në publik, do të jetë edhe më i madh sesa dhjetë protesta, nuk ka rëndësi të opozitës apo pozitës”.

Më tej, Gent Zeneli mendon se përtej vrasjes së Jul Cezarit, moment i rëndësishëm është sidomos, “vrasja e republikës”.

 

 

 

 

“Për mendimin tim, në vepër ndodhin dy vrasje. Kemi vrasjen fizike të Çezarit edhe vrasjen e Republikës, që për mua është shumë e rëndësishme. Njerëzit duhet të vijnë të shikojnë këto dy vrasje edhe mesazhin: populli e vret këtë lider edhe vendos se kush do ta udhëheqë. Ky katarsis që pëson turma e manipuluar nga Marc Anton, është një shfaqje që përcjell mesazhe shumë të forta”, – thotë Zeneli.

Premiera “Jul Çezar” vjen më 13 korrik, nën lojën e aktorëve: Romir Zalla, Alfred Trebicka, Vin Bejleri, Amos Muji Zaharia, Gentian Zenelaj, Ermira Hysaj, Ilirda Bejleri, Adriana Tolka, Klejdi Metaj, Mateo Dervishaj, Endri Çela, Engjëll Hoxha, Enea Nika, Paolo Kadillari, Anxhelo Shkreli.Kostumografe: Sofi Kara. Skenograf: Beqo Nanaj; Regji ndriçimi: Sonda Trinajst; As/regjisor: Mateo Dervishaj.

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët