MENU
klinika

“Zâ Fest III”

Festival, traditë, natyrë, njerëz

19.07.2019 - 15:41

      Festivali Za-Fest rikthehet në Theth. Organizatorët rrëfejnë risitë e edicionit të tretë. Ndërsa, kantautori Vlashent Sata, treon se nuk do të mungojnë muzika as gojëdhënat

“Zâ Fest III” rikthehet në Theth. Rizgjimi i shpirtit dhe i vëmendjes ndaj këtij vendi, kësaj perle të natyrës së Veriut të Shqipërisë, për ta shndërruar në pikëtakimin e kulturave përmes artit si gjuhë e përbashkët, ka qenë edhe mbetet qëllimi i këtij festivali. Kantautori Vlashent Sata, shpjegon për mediet, se ky festival synon bashkimin e njerëzve, duke ftuar artistë vendas, fqinjë dhe nga vende të ndryshme të botës, duke mundësuar kështu një bashkim të gjerë kulturor.

Dëshira për reazlizimin e këtij festivali ka lindur nga unë, por e frymëzuar nga artistë të tjerë, që kanë dashur përherë që të jenë të angazhuar për të bërë diçka për Shqipërinë. Za-fest ka lindur vetëm me idenë për të pastruar Thethin, ku arti të ishte një formë përbashkuese për të pastruar natyrën. Ky ka qenë çelësi i parë, që ne të bëjmë diçka për vendin, që të pastrohet nga mbeturinat, por në të njëjtën kohë ka qenë që të sillnim diçka kulturore, që ne e shikojmë në të gjitha vendet e botës, duke bashkuar artistë nga të gjitha trevat shqiptare. Por edhe njerëzit që janë në Theth, t’i trajtojmë jo si njerëz të izoluar, por me njerëz, që kanë shumë vlera, sikundër është edhe mikpritja”, – theksoi drejtori Artistik i Festivalit, Sata.

 

 

 

 

 

Ai ka shtuar po ashtu, se risia më e rëndësishme e këtij festivali është takimi, Logu i Za-fest, ku njerëzit mes bisedave të shkëmbejnë eksperienca edhe ide, duke qenë aktiv për të ndryshuar diçka në jetën e përditshme, ku mbase njerëzit që janë shumë të lodhur, nuk kanë më forcë fizike për të reaguar. Za-fest vjen për të bashkuar njerëzit dhe për të ndryshuar diçka në jetën e tyre.

“Ky festival me dëshirën e shumë artistëve, që janë të pranishëm edhe këtë vit, ka bërë të mundur shumëçka, prandaj ka atë lloj gëzimi edhe entuziazmi nga publiku, sepse në thjeshtësinë e vet kërkon që të kthehemi në vlerat tona, për të ndërtuar edhe për të riparuar ato pjesë, që ne do na bëjnë për të ecur përpara”, – u shpreh Sata.

Më pas, ai nuk la pa përmendur se për të, zhanret e ndryshme të artit janë një.

 

 

 

 

“Unë kam punuar edhe me shumë disiplina të ndryshme, që i quaj të nevojshme – që të gjitha këto të jenë pjesë e festivalit, pasi janë përqafuar edhe nga publiku”, – tha kantautori.

Këtë vit artistët pjesëmarrës janë: Elina Duni, Piers Façini, Vlashent Sata, Arben Bajraktaraj, Bob Berkey, Agona Shporta dhe “Don’t listen to your Neighbors”. Por nuk do të mungojnë as aktivitete të tjera si hiking, joga, panair kulinarie, kinema verore, tregime & legjenda dhe biseda e hapur “Logu i Zâ Fest”!

 

 

 

 

“Za-Fest është një festival që bashkon artistët nga mbarë bota për të bërë bashkë artin në një dimension tjetër. Në këtë edicion kemi të ftuar artistë shumë të njohur, si Elina Duni, Arben Bajraktaraj, apo edhe Vlashent Sata, Bob Berkey Clown, me krijimet e tyre. Za-Fest është krijuar për të shkrirë kufijtë, edhe i gjendur në një terror mes Alpeve, edhe një vendi që është i lënë pas dore nga infrastruktura edhe zhvillimi social, dëshira e Satës është që ky festival të shkojë pikërisht atje. Ne kërkojmë që t’i bëjmë vendasit ta kuptojnë, se me artin ka zhvillim. Veriu i Shqipërisë ka nevojë për më shumë aktivitete, pasi Za-Fest është i vetmi që zhvillohet atje”, – shprehet Albana Rica, organizatore e festivalit.

“Kush jemi ne? Çfarë bëjmë edhe ku do të shkojmë?”- në datën 4 gusht do të bëhet një bisedë e hapur në Logun e Kishës, ku do të diskutohet për rininë.

“Ku është rinia shqiptare sot? Si është raporti i saj me tokën? – Për këtë temë, do të jenë të pranishëm antropologë dhe filozofë, së bashku me publikun e thjeshtë”, – shton organizatorja.

 

 

 

 

Zâ Fest

Zâ Fest është krijuar nga, Vlashent Sata, në Gusht të 2017, me idenë e krijimit të një strukture që rizgjon vlerat shqiptare, kultivon artin që bashkon njerëzit në gjuhët e tij universale; ndihmon popullatën vendase në pikëpamje sociale; zhvillon ekonominë lokale, rajonale dhe kombëtare; ruan natyrën dhe përgjegjësinë në raport me të. Dëshira është që të gjithë të rritemi me Zâ Fest, të udhëhiqemi nga kultura dhe e bukura, për të rizgjuar shpresën në këtë vend, që kaq shumë e ka të nevojshme dhe i mungon.

Festivali do të zhvillohet më 2-3-4 gusht, në Theth.