Por pse i thonë: i Lekë Dukagjinit? qe nji çashtje e cilla enè nuk âsht zhvillue krejt mirë e me sugurí të plotë. Nji palë thonë, se quhet i Lekë Dukagjinit, per arsye qi ky Leka e paska mledhë e kodifikue i pari. Ktij mendimi duket se ká kêne edhè Dr. Milan Šufflay, i cilli ne librin e vet «Serbtë edhè Shqyptarët» (perkthye prej slavishtes) thotë në faqe 90 – «Gojdhâna, mbas së cillës këto zakone ligjare të quejtuna me êmnin «Kanuni i Lekës», âsht në lidhje me Lekën III. Dukagjinin» (1459-1479). E vertetë se Auktori i famshem, nuk thotë, se ky Lekë Dukagjini III. ká permbledhë e kodifikue Kanunin në fjalë; por prej do vendeve tjera të librit të tij të sypripermendun mund të thohet edhè, se pernjimend Kanuni ká mûjtë me kênë kodifikue prej Lekës III.
***
Tu ndjekë kto parime e mbas kontekstit të kanunit, kishte me thanë nieri, se kultura e popullsis së maleve t’ona e ku ishte nji fuqi kanuni i Lekë Dukagjinit, hini në të treten shkallë të rendit sypri rreshtue.
E verteta se Kanuni ka ndonji ligjë e në popull ka mbetë ndi’i doke, si b.f. të përjashtuemt e grues prej çdo tagrit civil, vercalli e gjama mbi të dekun e ndonji tjeter kësa dore, por të thuesh, të gjitha ligjët tjera perkojn me ato të Romës, Bizantit, të Kanunit doksuer të Teutonvet, të Slavvet, të Hindjanvet, ase nuk hijnë në rrethin e ligjve barbare. Se në popull të malevet t’ona ka metë ndonjë ligjë jo krejt civile, këta ka ndollë për arsye, qi Shqypnia tash e ma vonë që prej kohvet para Krishtit ka kenë parashtrue të msymevet e invazjonevet të hueja e gadi gjithmonë gjatë bregut të detit e fushavet të plleshme të saja. Kshtu populli i malevet t’ona met i vetmuem edhe i shkputun prej kontaktit me vise shqyptare ma të gjytetnueme.
Këta të shkputun u vërtetuen edhe teper neper autonomi, qi ktyne u njofti sundimi otoman. Prandej mund të pohohet se të gjithë pohimi giytetnues i tyne mvarej prej parimevet fetare kristjane e te ndonji tradicionit trashigue prej ndo’i kulture të hershme e të shueme. Veç se arsyeja ma e forta, qi si kundërshtarët e t’onë si edhe shumë do pedanta semi-analfabeta përdorin për me vërtetue barbarsin e ligjvet, egërsinë e popullsisë, ndër të cillat pat fuqi Kanuni i Lekë Dukagjitnit, pa dyshim asht: “gjaku” – la vendetta. Prandaj po më kandet me e shtru bisedën pak ma gjatë, e po bi këtu shka do vjet para shkruejshe për ket çashtje në librecin “Shqyptarët e të Drejtat e Tyne”, Shtyp.Franç. 1920 faqe 15-17.
Ktu vjen tash puna e gjakut – la vendetta-prej të cillit fakt kundërshtarët e Shqypnis e pedantat presuntuoza t’onë duen me pru egërsin e popullsis së malevet t’ona.
Kurrkush ma fort se un-si kishtar katolik – nuk mund ta dnojë punen e giakut në vedvedi etë marrnë si nji fakt tě zdeshun prej mndorjevet, ndërmjet të cillavet ndollë. Veç shka se, per me caktue gjejen shpirtnore a ashta s’asht barabare ne një njeri ase në kujdes fakti,sa shkasi psihik, qi e shtyn njerin ase kombi me veprue. Bje fjala: Kanibali myte nji njeri por edhe gjykasi evropian mytë njeri: a thomë na se janë të dy barbar; Joo; pse Kanibali mytë njerin për me i hanger misht, e pranndej asht barbar; ndersa gjykatsi evropjan mytë njerin, as per me i hanger misht, as per me pshtue shoqnin prej nji elementi të rrezikshëm, e prandej nuk asht barbar. Për ne e marrshim pra punën në pikpamje psihologjike, un tham se puna e gjakut në Shqypni nuk asht nji argument per me përcaktue barbarsin e egersin e kombit e kombit shqyptar; por asht rezultati i do mndorjeve, qi nuk mvaren prej shpirtin të ktij kombi.
Mbas Kanunit, qi asht të shprehunt e shpirtit të kombit shqyptar, vrasa asht e ndeshueshme me dekë. Prandej, po t’i kishte ra gjaksi në dorë auktoritetit eksekutiv të Kanunit, ky do t’a kishte mytë në vend, pa kurrfarë hutimit. Por gjaksi hiku; lshoj vendin e vet e vojt e u struk, si mik, nënmproje të njij Bajrakut tjetër, e kshtu i rrshiti gjygjit të Bajrakut të vet. – Duhet dijtë, se miku në shqypni asht i patrazueshëm e s’mund të ngitet prej kurrkuej; pse, po ndolli qi ngau kush mikun e kuej, kjo dhunë e bames mikut s’mund të lahet ndryshej veç se me gjak prej anës së mprojtsit të tij. Kshtu ndolli qi auktoritetet e Bajrakut të gjaksit nuk mujten me i dhanë ktij ndeshkimin e dekës, tue kenë se, po t’a kishin vra në ndore të Bajrakut tjetër, do t’ishte ngrehë luftë ndërmjet ktyne dy bajraqevet. Per mos me i dhanë shkas pra njaj lufte civile auktoritetet e Bajrakut të gjaksit, i dogjën shpin gjaksit – i vetmi ndeshkim qi, mund t’epet – e per shka e perket ndeshkimit te dekës, i a la ket perkim shpis së të vramit, qi t’a kerkote e ta vritte gjaksin; pse në ket mndyrë mund të bite në kundërshtim. Për shkak të vrasës të gjaksit, ndermjet të shpis të të vramit e shqis mprojes të gjaksit; por jo ndermjet te njanit Bajrak e tjetrit. E ket punë kan mujtë me e ba auktoritetet e Bajrakut, tue kenë se në sy të tyne seicilli njeri, i zoti i armvet, asht i majtun si ushtar i Bajrakut. Ma tepër do dijtë edhe, se kto vendime të Kanunit, kan kenë njoftë zyrtarisht prej sovranit të vendit, qi ishte Sulltani i Stambollës.
Shqyptari, pra, tue vra gjaksin e vet, nuk ban tjeter, veçse me e çue në vend nji ligjë, qi aj e man per të drejtë. Prandej, per me folë mbas pikpames psihologjike, veprimi i tij asht nji veprim i ligjshëm e nuk mund të quhet uhamarrme – vendetta. As aj gjaksi i Luigjit XVI kur i preu kryet, nuk pyeti a ishte giygj a jo m’e mbytë; por e mbyti, pse mendonte se ligja ishte e mirë, e arsyeshme. E prandej atij nuk iu desht me i përgjegjë kurrkuej, pse i kishte pre kryet krajlit të Francës, e as nuk thotë akut kush sot aj kje barbar. – E se vrasa e gjaksit në pikpamje psihologjike nuk asht një vendetta dan edhe prej faktit, se vrasa ndermjet dy familjeve hasme nuk shtyhet në nji numër të pacaktuem; por, të vramen gjaksin, dy familjet marrin e apin njana me tjetrën, si me të gjitha familjet tjera të Bajrakut, – mostjetër n’at ktij masë, sa Shtetet e gjytetnueme t’Europës t’a mbas luftës botnore.
Por asht edhe gabim me thanë, se të marrunt e gjakut shenjon barbarsin e kombit: per në kjoftë se, nën emen barbarsi, kuptohet egërsija ase breshtnija e shpirtit të tij, si duen me e kuptue kundershtaret t’onë, kur flasin per komb shqyptar. Të marrunt e gjakut burron prej mndorjevet të jashtme e prej t’metave t’organizimit shoqnuer të njij kombi, e jo gjithmonë prej gjejes shpirtnore të tij. E verteta e ktyne fjalve caktohet edhe prej historis së popujvet. për te cillt nuk mund të thohet se kjenë të egjer e breshtnorë. Në biblje Shejte kndohen kto fjalë: propinquus occisi homicidam interficiedet. Cognatus accisi statim ut invenerit eum (homicidam), iugulabit. (Num XXXV, 1921). Kshtu edhe në lib.IX (vv. 632-634) t’Iliadës gjejm kto vjersha, qi un po i bie tekstualisht…
Duket pra mirfillit se prej të marrunit të gjakut – vendetta – nuk mund të thohet qi kombi shqyptar asht barbar e qi nuk asht i zoti me u qeverisë në vedvedi i pambarshem.
Shqyp (perk):…Deri prej atij qi mbyti të vllan, ase prej atij qi mbyti të birin, pranoi ndonjani shperblimin, e prap banon aj aty në vend të vet…
Kaq shkrova jo per me shtri nji parathane ksajë vepre, sa per me diftue mallin e pakufijshem, qi kam per të paharrueshmin Auktorin e sajë./Konica.al
- GJERGJ FISHTA O.F.M.