Ilir Daja është pa ekip që pas largimit nga Flamurtari dhe emri i tij është lakuar në disa skuadra, kryesisht tek Skënderbeu. Por e ardhmja e tij mund të jetë te ekipi i Kukësit.
Mësohet se presidenti Safet Gjici është duke negociuar me Ilir Dajën për t’i ofruar skuadrën për sezonin e ri.
Sipas mediave të vendit, presidenti ka menduar për zëvendësuesin e Ernest Gjokës që pas humbjes së thellë 3-0 në Hungari, ku Debreceni hodhi hapin e sigurtë drejt kualifikimit.
Daja është një ndër trajnerët më të suksesshëm në Shqipëri teksa ka fituar trofe në të gjitha skuadrat që ka drejtuar, me përjashtim të Tiranës ku klubi e shkarkoi në mes të projektit.
Suksesin më të madh Daja e ka me Skënderbeun, ku bëri një sezon fantastik duke fituar titullin kampion Kupën e Shqipërisë në sezonin 2017-2018 dhe kaloi katër ture në Europë duke shkuar në fazën e grupeve të Europa League.
Në sezonin e fundit tekniku 52-vjeçar ishte pjesë e Flamurtarit, ku në verë ndërtoi një skuadër kompetitive për të rivalizuar për titullin kampion, por problemet financiare bën që skuadra të largohet nga objektivi në janar, teksa u largua gjysma e skuadrës.
Gjithsesi, Daja e kualifikoi ekipin për në Europë, por për shkak të borxheve të shumta vlonjatët nuk u lincesuan.